Apeli kthen në rivendosje vendimin e Themelores e cila kishte konfirmuar aktakuzën ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosjes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit kjo e fundit kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra City” dhe Roland Susurit, Arben Vezaj, Burim Mazrekut e Jesmir Badallit.
“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të pandehurve D.H, avokat Florent Latifaj dhe R.S, avokate Sahadete Gashi, e sipas detyrës zyrtare, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special në Prishtinë Ps.nr.23/2024 i datës 29.04.2024 ANULOHET dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatës në rigjykim e vendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.
Mbrojtësi i Hoxhajt, avokati Florent Latifaj në ankesë kishte pretenduar se deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe se aktakuza ndaj klientit të tij është bazuar në deklarimet e bashkë-të akuzuarve të marra në procedurë paraprake, që sipas mbrojtjes janë në kundërshtim me KPPRK-në. Andaj, Latifaj kishte propozuar që të pushohet procedura penale ndaj “Kobrës” ose çështja t’i kthehet Themelores në rivendosje.
Kurse, mbrojtësja e Susurit, avokatja Sahadete Gashi ka pretenduar se aktakuza nuk i plotëson elementet e domosdoshme, siç janë provat në të cilat duhet të mbështetet si dhe kundërshtoi cilësimin e veprimit inkriminues për të mbrojturin e saj. Pretendoi se aktakuza u ngrit në bazë të deklarimeve të bashkë-të pandehurve, veprim ky në kundërshtim me KPPRK-në. Në fund, Gashi propozoi që të hudhet aktakuza ose çështja të kthehet në rivendosje.
Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit kishte propozuar përmes parashtresës që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuar dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se vendimi i Themelores përmes të cilit është konfirmuar aktakuza ndaj Hoxhajt dhe të tjerëve, është kundërthënës me brendinë e tij dhe me arsyetimin në tërësi, si dhe me shkresat e lëndës.
Aty thuhet se disa fakte të paraqitura janë të paqarta dhe në kundërshtim me atë që paraqitet në arsyetim lidhur me përmbajtjen e shkesave të paraqitura në aktakuzë dhe procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë dhe vetë këtyre shkresave dhe procesverbaleve, duke e bërë aktvendimin të paqëndrueshëm në aspketin procedural dhe në pikëpamjen e vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.
“Kolegji i kësaj gjykate pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe shkresave të lëndës erdhi në përfundim se provat-konkretisht procesverbalet mbi marrjen e deklaratës së dëshmitarëve e dëmtuarve, rezultojnë se paraprakisht janë njoftuar mbi të drejtat që rrjedhin nga dispozitat ligjore nga neni 126 e 129 të KPP-së, e për te cilat mbrojtësit e kanë kundërshtuar që të njëjtat të shpallen prova të pa pranueshme…”, thuhet në akvendimin e Apelit.
Mbrojtja pretendon se nga Themelorja ka mbetur pa u sqaruar se a kemi të bëjmë me prova që janë marrë me efekt për marrjen në pyetje gjatë procedurës paraprake apo me deklaratën e dhënë gjatë asaj procedure.
Sipas Apelit, sqarimi i kësaj rrethane është thelbësore pasi që janë prova të propozuara për administrim gjatë procesit gjyqësor dhe mbi këto rrethana varet edhe vlefshmëria e kundërshtimeve sidomos kur Kodi i Procedurës Penale nuk i referohet as marrjes në pyetje e as deklaratës në procedurë paraprake.
“Prandaj nga e gjithë kjo mbetet thelbësore se cili ka qene veprimi i prokurorisë për marrjen në pyetje apo për deklarata në procedure paraprake”, thuhet në vendim.
Prandaj, Apeli ka sugjeruar që Themelorja të sigurohet se provat e marra janë të ligjshme e që i janë bashkëngjitur në raport me secilin të akuzuar, pastaj të vendos në përputhje me ligjshmërinë e çështjes penale.
Ndryshe në seancën fillestare më 7 mars 2024 Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.