Arrestohet shtetasi shqiptar në Vërmicë, tentoi ta korruptojë policin me 10 euro
Policia e Kosovës ka arrestuar sot një shtetas shqiptar, pasi i njëjti ka tentuar që ta korruptojë me 10 euro një zyrtar policor në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.
Sipas policisë, i dyshuari i kishte thënë zyrtarit policor se ato para po ja len për kafe.
I njëjti më pas është dërguar në qendrën e ndalimit.
Njoftimi i plotë:
Sot më datë 6.08.2021, në orën 05:55 minuta, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrollave të kalimit kufitar.
Shtetasi shqiptar me inicialet Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.
Me këtë rast zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale.
Pas perfundimit të procedurave personi i dyshuar, me urdhër të prokurorit është dërguar në qëndrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa.