AUV ka ndarë 700 mijë euro për trajtimin e qenve endacak
Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se në vitin 2018 kanë marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të 14 mijë qenve endacak.
Megjithatë, Thaqi theksoi se trajtimi i 5 mijë qenve endacak ka vazhduar edhe në vitin 2020.
Thaqi shtoi se AUV-i ka ndarë 700 mijë euro për projektin sa i përket trajtimit të qenve endacak, projekti që vazhdon deri në muajin maj.
“Ne si agjenci në vitin 2018 kemi marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të qenve endacak dhe në këtë vit janë trajtuar 14 mijë qenë duke parë që komunat nuk kishin krijuar fonde të buxhetit për trajtim nga ana e tyre ne kemi qenë të detyruar që me të hyrat tona të agjencisë të bëjmë ndarje nga projektet tjera, ku edhe në vitin 2020 janë trajtuar rreth 5 mijë qenë endacak dhe ky projekt do të vazhdojë deri në muajin maj të këtij viti. Pastaj ne shpresojmë që shumë shpejt komunat ta marrin punën për të kryer sepse është mandate i tyre bazuar në ligjin e veterinarisë. Burim i problematikës së qenve endacak është mostrajtimi i duhur nga ana e nivelit lokal”.
“Komunat kanë trajtuar këtë problematik dhe duke parë që nuk kanë dhënë efektin e duhur në teren atëherë kemi qenë të detyruar nga ana e Qeverisë që ne si autoritet qendror të merremi me këtë problematikë karshi edhe shumë punëve të tjera të cilat i kemi dhe kemi marrë si detyrë dhe në vitin 2020 ne si Agjenci i kemi ndarë 700 mijë euro buxhet nga projektet tjera vetëm e vetëm që projekti të vazhdojë sepse është problematikë që kërkon trajtim për një periudhë afatgjate që ajo të japë efektin e duhur. Nëse ka ndërprerje atëherë prapë do fillojë shtimi i qenve endacak sepse qëllim bazë i projektit është pengimi i shtimit të qenve endacak”, ka thënë ai për EO.
Mes tjerash, ai tha se kanë bërë apel te komunat që të merren më seriozisht me këtë çështje, megjithatë sipas tij, duket se mungon vullneti i tyre, duke shtuar se qytetarët po rrezikohen çdo ditë nga qentë endacak.
“Ne në vazhdimësi gjithmonë iu kemi dërguar letër nga drejtori ekzekutiv i autoriteti dhe i kemi bërë apel komunave që do të bëjmë ndarjen buxhetore dhe të merren seriozisht me trajtimin e qenve endacak duke ditur që është mandat i tyre dhe ne ende nuk e kemi gjetur këtë vullnet te të gjitha komunat dhe jemi të detyruar të bëjmë ndarjet tona buxhetore që të merren me këtë problematikë e cila është emergjente”.