AUV: Rritet numri ankesave për produkte jocilësore në Kosovë
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës është rritur numri i ankesave për produktet ushqimore jocilësore dhe pa afat. Ky autoritet gjatë vitit që lamë pas e deri më sot ka larguar nga tregu dhe asgjësuar mbi 700 mijë kilogram produkte ushqimore që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi theksoi për KosovaPress, sekontrollet në import të mallrave ushqimore janë realizuar 100 për qind.
Sipas tij, çdo ngarkesë i është nënshtruar procedurave të rregullta të kontrollit dhe varësisht nga të gjeturat është vendosur për ngarkesat për t’u lejuar që të hyjnë në tregun tonë apo jo.
Ai thotë se në gjithë territorin e Kosovës kanë ushtruar kontroll përmes tri llojeve të inspektorateve, inspektorati veterinar, fito sanitar dhe sanitar dhe nga këto kontrolle edhe në vitin 2020, duke larguar nga tregu dhe asgjësuar rreth 700 mijë kilogram produkte ushqimore
“Edhe nga statistikat që kemi nga departamenti për mbrojtje të konsumatorëve, jemi autoriteti që prijmë për nga numri i ankesave që vijnë pikërisht për shkak të besueshmërisë që kanë qytetarët në autoritetin tonë, sepse për të gjitha ankesat ata gjithmonë në kohë rekorde marrin përgjigje për rastet e raportuara. Raste e raportuara gjithmonë kanë marrë zgjidhje nga ana e inspektoratit dhe ky bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteti duhet të vazhdojë, sepse siguria ushqimore, është siguri e përgjithshme, e cila nuk i takon vetëm autoritetit”, thekson Thaçi.
Ai ka treguar edhe për llojin e produktit të orizit “Broën Rice Basmati organic 500g”, që është larguar nga tregu dhe për kujdesin që duhet pasur konsumatorët.
Thaçi: Sivjet ndër produktet e larguara nga tregu është edhe orizi “Brown Rice Basmati organic 500g”
“Kemi edhe për këtë vit produkte që janë larguar nga tregu, janë asgjësuar. Është rasti i orizit që ka qenë i paketuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe është raportimi se ka një toksinë brenda këtij orizi dhe i cili ka qenë duke u tregtuar edhe në vendin tonë. Ndërsa, ne kemi vepruar me një herë në linjë me shtetet tjera në të cilat ka qenë i shpërndarë ky oriz… Si autoritet kompetent me mandate për të ruajtur sigurinë ushqimore pa marrë parasysh origjinën e produktit kushti bazë që një produkt të del në treg, ai duhet të jetë i sigurt. Edhe numri i madh i prodhimeve që vijnë nga importi gjithmonë në masën 100 përqind jemi një autoritet që kontrollon çdo ngarkesë i nënshtrohet kontrollit të inspektorati kompetent”, thotë ai.
Ndërsa, sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për pandeminë, Thaçi thotë se në dy muajt e fundit, janar dhe shkurt, AUV ka ndëshkuar qytetarë, biznese dhe parti politike që kanë shkelur këtë ligj.
Partitë politike, sipas tij, janë ndëshkuar për tubimet zgjedhore në kundërshtim me Ligjin për pandeminë.