Ballkani letër të hapur Osmanit e Kurtit: Futbolli është i okupuar
KF Ballkani i është drejtuar presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurtit, me një letër të hapur në lidhje me zhvillimet e fundit në elitën e futbollit vendor.
Në këtë letër klubi nga Suhareka ka shprehur shqetësimin e tyre ndaj fenomenit “matematikat e klubeve” duke kërkuar ndërhyrjen direkte të shtetit.
Po ashtu, në letër thuhet se e përfshirë në këtë maskaradë është edhe Federata e Futbollit të Kosovës.
Në javët e fundit janë shpeshtuar dyshimet rreth kurdisjeve të ndeshjeve.
Sot është zhvilluar derbi ndërmjet KF Dritës dhe KF Prishtinës, të cilin e fituan mysafirët me rezultat 1:2.
Kjo ndeshje është komentuar nga tifozët e Dritës të cilët në faqen zyrtare të klubit kanë hedhur akuza se kanë kurdisur ndeshjen me Prishtinën.
Më poshtë letra e Ballkanit:
Letër e hapur
Për: Presidentën e Republikës së KosovësKryeministrin e Republikës së KosovësMinistrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Të nderuar/a,
Pa asnjë fije dyshimi konsiderojmë që secili qytetarë i Republikës së Kosovës është gëzuar me faktin që futbolli vendor u anëtarësua në FIFA dhe EUFA, duke shpresuar se përfundimisht futbolli i Kosovës po dilte nga mjerimi ku kishte mbetur si rezultat i okupimit.
Fatkeqësisht kjo shpresë rezultoi e dështuar për arsye se përveç problemeve të okupimit dhe të mos inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë, tani jemi duke u ballafaquar me mos zhvillimin, pengimin apo thjesht shkatërrimin e futbollit në Kosovë, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, fajtorë janë vet faktorët e futbollit kosovar.
Si është e mundur që për vite me radhë në futbollin e Kosovës, ose më saktë në përfundim të çdo sezoni të futbollit qoftë në garat e kampionit apo të kupës, opinioni më tepër merret me kalkulime matematikore sesa me futboll të vërtetë.
A jemi ne duke luajtur futboll, apo jemi duke bërë “matematik“, sepse ne si klub jemi regjistruar në FFK për të luajtur futboll, e jo për të bërë “kalkulime”.
Si është e mundur që opinioni të dijë, e me javë para ndeshjes dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat, e cili klub e lëshon kampionatin për kupë etj.
Mjafton të hysh në faqet zyrtare të klubeve dhe këtë fenomen e vëren nga vet tifozët e klubeve gjegjëse, fatkeqësisht në krejt këtë maskaradë janë të përfshirë disa klube, disa mbetje politike dhe FFK, kjo e fundit në mënyrë mjeshtërore kryen punën e sajë duke vendosur cili klub do bëhet kampion, e cili do ta fitojë kupën, si dhe cili do mbetet pa asgjë.
Mjafton t’i shohim vetëm ndeshjet e muajit të fundit në kupë dhe të kampionatit që të arrijmë në përfundimin se futbolli në Kosovë ka degraduar në çdo aspekt.
Prandaj i lusim të lartshënuarit dhe mekanizmat ligjorë të fillojnë të merren më këtë çështje sa nuk është bërë vonë, kjo për hir të rinisë kosovare dhe investimeve të mëdha të cilat po i bëjnë investitorët me djersen e tyre.