Banorët e Lagjes ” Bajram Curri” të shqetësuar pas therjes me thikë edhe te një nxënësi
Dje pasdite, policia në Prizren është njoftuar nga Emergjenca e Spitalit, se rreth orës 15:39 aty ishte sjellur një person i therur me thikë, por që ndodhej jashtë rrezikut për jetë.
Viktima i moshës 17 vjeçe nxënës i shkollës ” Ymer Prizreni”, kishte pësuar lëndim trupor pas goditjes me thikë në dorë nga një person i panjohur për policinë në rrugën ” Nexhat Fanaj” në lagjen “Bajram Curri”, afër vendit ku para një muaji ishte goditur për vdekje një nxënës i shkollës së mjekësisë.
Ky incident është dënuar nga drejtoresha e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi- Vezgishi, e cila tha se ky rast ka ndodhur jashtë objekteve shkollore, ndërsa qysh nga incidenti i parë, kemi marrë zotim nga policia se në atë rrugë do të shtohen patrullimet për të ofruar më shumë siguri në tre shkolla që ndodhen në këtë rrugë.
Lidhur me këtë incident nuk kanë dashur të flasin para kamerës nga policia në Prizren, përveç asaj që kanë bërë publike përmes një komunikate për media mbrëmë, si dhe duke thënë përmes telefonit se në atë rrugë janë shtuar patrullimet.
E para kamerës nuk ka dashur të flas për këtë ngjarje as drejtoresha e shkollës ekonomike pjesë e së ciles është edhe viktima, e cila madje ka urdhëruar personelin e sigurimit që mos të na lejojë realizimin e xhirimeve në brendi të objektit.
Por, të shqetësuar me këto incidente në lagjen e tyre janë banorët. Rifat Kolukaj dhe Gëzim Morina, kërkojnë masa të domosdoshme nga institucionet dhe përfshirje të prindërve në luftimin e kësaj dukurie, ku fatkeqësisht po rezultojnë edhe viktima të moshës rinore.
Ndryshe, banorët e lagjes në protestën e organizuar pas incidentit të parë kanë kërkuar prani më të shtuar të policisë dhe angazhime konkrete edhe të organeve tjera kompetente në rrugën ” Nexhat Fanaj”, për të ofruar më shumë siguri për nxënësit në radhë të parë./Televizioni i Prizrenit