Bie në pranga të policisë edhe i dyshuari i tretë për grabitjen e turistit në Prizren
Pas disa ditësh në arrati, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe të dyshuarin e tretë për rastin e grabitjes, që ndodhi më 8 korrik në qendër të qytetit të Prizrenit, ku një shtetas japonez është grabitur nga tre persona të dyshuar.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se edhe i arrestuari i tretë është i mitur, i cili pas intervistimit, iu është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.
Ai bashkë me një të mitur tjetër, po dyshohet se nën kërcënimin e thikave, e kanë grabitur turistin japonez.
Gjithçka ndodhi në pikë të ditës, derisa viktima, 41-vjeçar po kalonte rrugën, kur papritmas i dolën përpara të dyshuarit. Ata e terrorizuan viktimën me veprime agresive, e madje nxorën edhe disa thika.
Nën kërcënimin e tyre, tre hajnat arritën t’ia marrin me forcë portofolion, në të cilin kishte një shumë të parave të gatshme dhe disa kartela bankare.
Përveç që e kanosën seriozisht, të dyshuarit edhe i përdorën mjetet e mprehta, duke i shkaktuar lëndime trupore 41-vjeçarit, që i pësoi gjatë përballjes me ta.