Bleu 3 pako cigare dhe ia dha shitëses 100 euro të falsifikuara, prizrenasi pranon fajësinë para gjykatës
I akuzuari A.K ka pranuar fajësinë se ka vënë në qarkullim 4 kartëmonedha në shumën nga 100 euro, në shtator të këtij viti në Prizren.
I akuzuari u deklarua fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, në shqyrtimin fillestar, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Genc Nixha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Sylejman Klinaku deklaroi se i akuzuari që nga momenti i kryerjes së veprës penale, ka pranuar veprën dhe ka qenë bashkëpunues me policinë.
Ai shtoi se i mbrojturi i tij është penduar thellë dhe propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësinë.
Gjithashtu edhe të dëmtuarit M.A dhe E.S nuk kundërshtuan pranimin e fajësisë dhe kërkuan kërkesë pasurore juridike.
Në fund edhe kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi konstatoi se pranimi i fajësisë është bërë në pajtim me dispozitat ligjore dhe se aktakuza nuk ka gabime faktike dhe ligjore, andaj aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Krasniqi.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet sot (17 nëntor 2021).
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.K për shkak të dyshimit të bazuar mirë se më 24 shtator 2021, në rrugën ‘’William Walker’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar pranon dhe posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.
Sipas aktakuzës, derisa i njëjti ishte duke drejtuar automjetin e markës ‘’VW Lupo’’ ndalohet nga Policia e Kosovës, tek i cili gjejnë 4 kartëmonedha në shumën prej 100 euro, në total 400 euro, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, me ç’rast të njëjtat edhe ia sekuestrojnë përkohësisht.
Po ashtu, i akuzuari thuhet se gjatë periudhës së vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar posedon të njëjtat me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.
Aktakuza thotë se fillimisht ia dorëzon një kartëmonedhë në shumën prej 100 euro të dëmtuarit E.S, i cili është pronar i subjektit juridik, ashtu që ky i fundit më 2 korrik 2021, në njërën prej bankave në Prizren, deponon një shumë të konsiderueshme parash të pazarit ditor, në mesin e të cilave ishte edhe kartëmonedha e falsifikuar, për të cilën i dëmtuari nuk e ka ditur se është e falsifikuar.
Tutje thuhet se pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 20 shtator 2021, është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 euro është falsifikim i plotë.
Gjithashtu, i akuzuari A.K më 3 shtator 2021, në biznesin familjar – pronë e të dëmtuarit M.A me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtat, me qëllim që më pas t’i vë në qarkullim si të vërteta.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari futet në dyqanin në fjalë dhe me anë të një kartëmonedhe në shumën prej 100 euro, blen 3 pako cigare, ashtu që dëshmitarja F.A., pranon kartëmonedhën nga i pandehuri dhe ia kthen kusurin dhe me të pranuar kusurin largohet nga vendi i ngjarjes me veturën e tij të markës ‘’VW Lupo’’.
Sipas aktakuzës, pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 23 shtator 2021, është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 euro, është falsifikim i plotë.
Me këto veprime, i pandehuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”, nga neni 296, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.