“Boll kemi heshtë”, nxënësit me protestë kërkojnë cilësi në arsim
Disa nxënës sot kanë marshuar në Prishtinë me kërkesë për rritje të cilësisë në arsim dhe për kthim të vëmendjes së institucioneve në këtë sektor.
Në marshin e organizuar nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK), që u udhëhoq nga motoja kryesore “S’po shkohet në shkollë”, u mbajtën edhe pankarta me ankesa për mungesë të mirëqenies nëpër shkolla, për librat e vjetruar dhe për mosbarazinë.
“Nuk kemi dritë, ajër të mjaftueshëm’, s’kemi siguri në klasë, oborr dhe rrugë. Në shkollë s’kemi as psikologë, as shkollë emergjente, as kuti të emergjencës, s’kemi kabinete për praktikë, as salla të edukatës fizike. Në vend të krejt këtyre kemi substanca narkotike dhe duhan. S’po shkohet në shkollë. Në shkollë s’kemi as libra, hala mësojmë përmes diktimit edhe skriptës, s’po shkohet në shkollë se ato libra që janë kanë gabime dhe janë të vjetra. Librat diskriminojnë gratë dhe kategori të tjera të margjinalizuara. S’po shkohet në shkollë, se shkolla është e mërzitshme”, u tha në një fjalim të nxënësve para Teatrit Kombëtar.
Nxënësit kërkuan zbatim të ligjeve, siguri në arsim, mbrojtje, mirëqenie dhe barazi, derisa thanë se shkolla po iu ngjan me sistem diktature.