Brenda pak orëve shkaktohen pesë aksidente në trafik në rajonin e Prizrenit, 17 të lënduar
Aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës. Ato zakonisht ndodhin si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në komunat e rajonit të Prizrenit kanë ndodhur pesë aksidente në komunikacion, ku si pasojë 17 persona kanë marrë lëndime trupore.
Në orën 15:00 në rrugën Rapçe – Dragash ka ndodhur një aksident ku janë përfshirë dy vetura.
Në aksidentin që dyshohet se u shkaktua pasi njëri nga shoferët voziti me shpejtësi të madhe, me ç’rast humbi kontrollin mbi automjet, janë lënduar dy persona, përfshirë një vajzë të mitur.
Ndërsa 30 minuta më vonë në një komunë tjetër të rajonit të Prizrenit, në Suharekë, njëra nga veturat që po qëndronte në kolonë rrugës për të marrë nusen, si pasojë e mosmbajtjes së duhur të distancës, ka goditur veturën që ndodhej para saj. Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar tre persona të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.
E një tjetër aksident ndodhi sërish në komunën e Suharekës, ku në fshatin Dragaqin, pesë persona pësuan lëndime trupore si pasojë e ndeshjes së dy veturave. Në mesin e të lënduarve janë edhe dy fëmijë të moshave 6 dhe 4-vjeç. Deri te aksidenti dyshohet se erdhi si pasojë e pakujdesisë së shoferit, i cili dyshohet se nuk kontrolloi rrugën kryesore në të cilën synonte të kyçej.
Ndërsa në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit në orët e para të mbrëmjes ndodhi një aksident trafiku ku si pasojë mbetën të lënduar pesë persona të cilët kanë kërkuar ndihmë në spital. Aksidenti dyshohet se ndodhi për shkak të mosmbajtjes së distancës së duhur me automjetin e përparmë.
Kurse në orën 21:15 në rrugën e Zanave në Prizren ndodhi po ashtu një aksident, ku u përfshinë një autobus dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit mbetën të lënduar dy persona, përfshirë një fëmijë 2-vjeç.