Burri në Dragash terrorizon vëllain dhe kunatën, i kërcënon me benzinë e armë në dorë – shkak tapia e shtëpisë
Edhe sot e kësaj dite familjet kosovare vazhdojnë të kenë telashe që lidhen me prona. Mosmarrëveshjet që lindin mes familjarëve, shpesh herë eskalojnë në sharje, fyerje e kërcënime, por ka pasur raste kur kanë përfunduar edhe tragjikisht. Një ngatërresë në një familje ka ndodhur edhe dje në Dragash.
Një shtëpi në fshatin Zaplluxhe u bë mollë sherri për dy vëllezërit që s’po arrijnë të merren vesh për pronësinë e saj.
Mësohet se si pasojë e kësaj, një 46-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar seriozisht vëllain dhe kunatën e tij, duke iu kërkuar atyre që ta lirojnë shtëpinë. E kërcënimin që ua bëri nuk e la vetëm me fjalë, pasi që burri nga Dragashi për të treguar që e ka seriozisht, në duar mbante një shishe të madhe me benzinë dhe një armë të gjuetisë, duke thënë se nëse nuk dalin nga shtëpia, do t’ia vë flakën asaj.
Kjo ka frikësuar tej mase viktimat, të cilët kanë ikur që aty dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë në zgjidhjen e konfliktit.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar bidonin me benzinë, armën e gjuetisë dhe tre plumba, ndërsa kanë arrestuar personin e dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.