ÇIZMET
Kjo fotografi ma kujton kohën kur ç’do gjë ishte e njëmend, njëashtu edhe stinët, si dhe vet Dimri.
Shkruan: Abdullah Thaçi
Ishin vitet e 90-ta në shekullin e kaluar, ku s’kamja nuk e ndalonte dot që rrita jonë të përcillej me lumturi e soldaritet krah njëri tjetrit.
Lumturia e fëmijve, të gjeneratës time, arrinte kulmin kur binte borë e bllokoheshin rrugët!
Në njërin nga këta dimra, kur drejtori i dhunëshëm i shkollës vendosi një njoftimi, në çirilicë, se, shkolla nuk punon për shkak të një “feste” (sllave)!
Babi im, duke respektu kalendarin shkollor të Institucioneve të shtetit të Kosovës, thirri nxënësit e tij në shtëpinë tonë dhe vazhdoi mësimin, pasi që për ne shqiptarët ishte ditë mësimi.!
Pas kësaj, sigurisht, nga spiunët shqipfolës u spiunua dhe për këtë u thirr në “bisedë informative” në SUP-in e Prizrenit.
Në këtë moment reagimi solidar nuk mungoi. Të parët ishin axhallarët dhe fqinjët tanë.
Mbaj mend që, inxhja Gjanije, gruaja e bacit Izet, kojshisë tonë të parë, nana e shokut të gjeneratës, Nysretit, erdhi te na.
Ajo, me vete kishe sjell një qese, e aty brenda, për mua kishin qenë një pal çizme të “Conasport”-it, prej atyre me “lesh”!
Unë fëmij, 12-13 vjeç, nga lumturia e çizmeve, harrova babën.!
Pas disa orëve mbajtje në “bisedë informative”, në orët e mbrëmjes, në shtëpi mbërrin edhe baba, e unë atij ju hodha në përqafim bashkë me çizmet.
Atë natë fjeta shumë pak, e nata mu dukë shumë e gjatë. Dita, dyqysh, vonoi së zbardhuri!
Nejse, dikur, më më fund u bo dritë.
E unë, i pari “rrugaç” në rrugë me çizmet e reja duke e shiju borën e pashkelun. Të tjerët erdhën më vonë. Me ta, kështu si me rutinë, s’bashku i mbyllnim ditët e javët në Dimër, sigurisht, deri sa shkrihej bora!
Kur bora filloj të shkrihej, çizemet me lesh, filluan të bëheshin të padurueshme nga nxehtësi që thithej nga këmbët!
E unë, morra gërshërët nga gjyshja , nana Fatë, dhe me me to preva leshin. E në shkollë shkoja po me të njejtat çizme.
Me tu afru pranvera edhe moti filloj të ngrohej, e me çizme, edhe pse pa lesh, u bë nxeht edhe ishin të pa përshtatshme për stinën!
Krijsa e njëres çizme, mu te zogu i këmbës, ishte shkaku që unë vendosa ti shkurtoj te dyjat tek e njejta masë dhe nga ato të i fitoj një palë këpucë të reja për të shkuar në shkollë, në pjesën e fundit të vitit shkollor, para pushimeve të verës!.
Edhe ashtu bëra. Pa vra mendjen për asgjë tjetër, vazhdova me to deri në përfundim të vitit shkollor.
Sigurisht, falë Zotit, dashurisë së prindërve dhe lidhjes mes njëri tjetrit, atë kohë, ishim shumë tē fortë dhe mbi të gjitha të lumtur.
Nuk e di sakt, nga ku buronte gjithë ajo lumturi?!
Ndoshta, nga shpresa dhe ëndrra për liri?!
Sinqerisht, nuk e di!
Ajo që di është kjo: në sytë e mi, prindërit e mi dhe gjithë mësuesit e tjerë shqiptar, të asaj kohe, ishin dhe mbeten heronjët e mi.
Sot, tre dekada pas, falë tyre, unë tek vetja gjej një energji që rigjenerohet brenda meje, kur në pyetje është atdheu, familja dhe solidariteti mes njëri tjetrit e përtej saj.
Paqi bekimet e Zotit.