Çmimi i arit arriti në një nivel rekord – dhe ekspertët nuk presin që ai të ndalet me kaq
Çmimet e arit shënuan një tjetër rekord ditë më parë – me çmimet që prekën 2,100 dollarë për ounce [28.34 gramë] – ndërkohë që kërkesat globale për shufra ari ose argjendi duket se do të vazhdojnë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ari u tregtua shkurtimisht mbi 2,100 dollarë më 3 dhjetor në Nju Jork, duke vendosur një nivel të ri historik, përpara se të binte rreth 2% një ditë më pas në afërsisht 2,028 dollarë.
Por çfarë bie në sy është paralajmërimi i ekspertëve se çmimet e arit janë në rrugën e duhur për të arritur nivelet e reja të larta vitin e ardhshëm dhe mund të mbeten mbi nivelet e 2,000 dollarëve.
Si faktorë të mundshëm, analistët kanë përmendur pasigurinë gjeopolitike, një dollar të mundshëm më të dobët amerikan dhe ulje të mundshme të normave të interesit.
Ndërsa çmimet e metalit të verdhë janë rritur për dy muaj radhazi me konfliktin Izrael-Hamas duke rritur kërkesën për “asetin e sigurt”, pritjet për ulje të normave të interesit kanë dhënë mbështetje të mëtejshme.
Ndryshe, ari tenton të performojë mirë gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike për shkak të statusit të tij si një rezervë e besueshme e vlerës.
Ndërkohë Heng Koon How, ekspert i tregjeve vlerësoi se çmimet e arit mund të arrijnë deri në 2,200 dollarë për ons deri në fund të vitit 2024.
Sipas një sondazhi të fundit nga Këshilli Botëror i Arit, 24% e të gjitha bankave qendrore synojnë të rrisin rezervat e tyre të arit në 12 muajt e ardhshëm, pasi rritjes së pesimizmit për dollarin amerikan si një aktiv rezervë.
Kjo edhe pritet të sjellë kërkesë potencialisht më të lartë nga sektori në vitet në vijim.