Dënohet me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë prizrenasi që u kap duke kontrabanduar 34 shtetas sirianë
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka shqiptuar dënimin prej 2 vitesh burgim efektiv 34-vjeçarit, Kushtrim Elezkurtaj, pasi u kap duke kontrabanduar shtetas të Sirisë, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zyrtari për informim në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj, i cili pos të tjerash bëri të ditur se Elezkurtaj është dënuar edhe me 2 mijë euro gjobë.
Elezkurtaj nga Zhuri i Prizrenit u kap në flagrancë një muaj më parë teksa po i transportonte migrantët me furgonin e tij, çka bëri që menjëherë të arrestohet.
Sinjali mëson se sirianët në mënyrë të organizuar kanë ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia, ku atje secili prej tyre ka paguar një shumë parash me qëllim udhëtimi përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës deri në Serbi e më pas në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.