Djali 48-vjeçar në Prizren e kërcënon dhe e rrah nënën: N’qafë kam me t’pre
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prizren, ku një 48-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, si dhe e ka kërcënuar me fjalët “n’qafë kam me t’pre”.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari është emër i njohur për organet e rendit, pasi është recidivist i dhunës në familje.
Me t’u përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti si ‘Dhunë në familje’.