Dosja e Prokurorisë: Kështu ndodhi vrasja në Prizren

Një vrasje e rëndë tronditi Prizrenin ku nga më shumë se 10 shkrepje të kallashnikovit ka mbetur i vdekur, 48-vjeçari Beqir Morina.

Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren, pas një zënke që thuhet se ka nisur mes viktimës dhe të pandehurit.

I pandehuri Aziz Gashi dyshohet se, para gruas dhe vajzës 8-vjeçare të të ndjerit, me kallashnikov fillimisht ka shtënë 2-3 herë në drejtim të Beqir Morinës. Pas kësaj, ai i është afruar dhe ka shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së tij, i cili nga plagët e marra në kokë ka vdekur.

Prokuroria e Prizrenit ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Seanca pritet të zhvillohet nesër duke filluar në ora 9:00.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, Aziz Gashi më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave.

Pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H. M., (bashkëshortja e viktimës), A. M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh.

Tutje në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M., me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në kërkesën e Prokurorisë sqarohet se të dëmtuarat H. M., dhe A. M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R. M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes.

Ndërkaq, i dëmtuari H. Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H. Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”- i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë hiri metalike, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këtë rast të dëmtuarve H. M., (bashkëshortja e viktimës), A. M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., u rrezikon jetën.

Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale vrasjes së rëndë nga neni 173 parag.1 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, më 4 shtator 2023 në Prizren në shtëpinë e tij e cila gjendet në rr.”…”, në lagjen “Arbana”, gjendet arma në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-201-2722, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B. M. dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H. M., (bashkëshortja e viktimës), A. M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., e të cilën policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë K. e Malishevës.

Nga Prokuroria Gashi po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 366 parag.1 i Kodit Penal

Lidhur me këtë Prokuroria ka arsyetuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masë së paraburgimit. /Kallxo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *