Droga e kapur në Vermicë, Gjykata ua cakton një muaj paraburgim dy të dyshuarve
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 12.12.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 12.01.2022, ndaj të pandehurve A.M., dhe A.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 31 tëKodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurveka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Me datën 12 dhjetor 2021. Në orët e mbrëmjes, në pikën kufitare të Vërmicës, në bashkëkryerje pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që derisa ishin duke kthyer nga Republika e Shqipërisë me automjetin e markës “ ……….”, të cilin ishte duke e drejtuar i pandehuri A.H., ndërsa pasagjer i pandehuri A.M., gjatë kontrollit policor në pikën kufitare në Vërmicë, në bagazh tek goma rezervë e automjetit, policia arrin t’iu gjejë një qese plastike, brenda së cilës gjendej një sasi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë totale prej 1016.70 gram, ndërsa në portofolin e të pandehurit A.H., është gjetur një qese e vogël brenda së cilës kishte sasi të vogël për narkotik të llojit marihun në peshë prej 1.22 gram, e cila edhe është sekuestruar përkohësisht nga ana e zyrtarëve policorë.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale, si dhe faktin që procedura është në fazën fillestare të hetimeve, dhe në vazhdimësi duhet të ndërmerren veprime me qëllim të zbardhjes së rastit, prandaj nga këto rrethana ka arsye për të besuar se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të tentojnë që ti ndryshojnë provat e kësaj vepre penale duke ndikuar tek ndonjë dëshmitarë eventual apo të harmonizojnë mbrojtjen e tyre.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale me qëllim të parandalimit të ikjes së të pandehurit, zhvillimit normal të hetimeve dhe numrin e lartë të këtyre veprave penale të cilat po ndodhin tregojnë rrezikun se nëse të pandehurit lihen në liri do të përsërisin ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.