Ekonomistët shuajnë shpresat: Nuk pritet lirimi i asnjë produkti që është shtrenjtuar

U miratua në fundjavë në Qeveri, por Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet e shportës bazë nuk pritet që të fillojë së zbatuari para muajit dhjetor.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ky projektligj është i vonuar dhe nuk pritet të ketë efekt në uljen e çmimeve.

Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, thotë se Projektligji do të duhej të miratohej nga dhjetori i vitit të kaluar, kur shkalla e inflacionit ishte vetëm 7 për qind, e jo të pritet që të rriten çmimet e pastaj të vendoset për masa.

“Nëse flasim për vendosjen e çmimit tavan në momentin kur ke inflacion 7 për qind dhe vendos çmimin tavan në momentin kur ke inflacion rreth 13 për qind, është kontekst tjetër dhe ndikimi i çmimit tavan është krejt tjetër. Koha kur e vendos është esenciale”, ka thënë Jakurti.

Situata me çmime, sipas Jakurtit, nuk pritet që të përmirësohet gjatë këtij viti. Edhe Banka Botërore parasheh që të mos ketë stabilitet të çmimeve deri në mes të vitit të ardhshëm.

“Po ta kishim bërë ligjin më herët do të ishte shumë më mirë, por nuk është bërë. Mendoj që një kohë është pritur që të vijë diaspora, por edhe ajo është goditur nga inflacioni dhe nëse vjen diaspora dhe shpenzon më shumë kjo veç më shumë e përkeqëson situatën me inflacion dhe kjo nuk është zgjidhje dhe pasiviteti i Qeverisë ka qenë aty dhe shpresoj që do të vazhdojë në muajt në vazhdim”, ka shtuar Jakurti.

Projektligji i miratuar në Qeveri parasheh caktim të çmimit tavan për drithërat, miellin e grurit, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Për operatorët ekonomikë që nuk e zbatojnë këtë ligj parashihen edhe gjoba. Ato variojnë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro, varësisht nëse ndëshkohen persona juridikë apo fizikë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka propozuar katër veprime të tjera që, sipas tij, do t’u ndihmonin qytetarëve në përballje me inflacionin.

“Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit; Rritja e pagës minimale në sektorin privat; Ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH; Pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka kritikuar Qeverinë për mosulje të tatimit, duke thënë se ajo po e zvogëlon edhe qarkullimin në ekonomi duke mos zbatuar qindra e miliona euro investime kapitale.

Çmimet e konsumit kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë këtij viti. Nëse në gusht të vitit të kaluar konsumatorët për produktet e njëjta kanë paguar 60 euro, në gusht të këtij viti të njëjtat kanë kushtuar 75 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *