FILLOJNË PUNIMET PËR RREGULLIMIN E KOMPLEKSIT TË VARREZAVE TË MARTIRËVE NË KRUSHË TË VOGËL
Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, është bërë inaugurimi i fillimit të punimeve për Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Krushë të Vogël.
Krusha e Vogël pritet të nderojë martirët e saj të vrarë e masakruar në një vend më të rregulluar, kjo falë projektit të Drejtorisë së Administratës për rregullimin e Kompleksit të Varrezave të Martirëve të këtij fshati.
Në një ceremoni modeste ku përveç familjarëve të dëshmorëve e martirëve, në inaugurimin e fillimit të këtyre punimeve ishin edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i shoqëruar nga drejtori i Administratës, Osman Hajdari.
Kryetari Haskuka, tha se sot në këtë ditë të veçantë, po fillojmë jetësimin e një projekti mjerisht të vonuar, për të nderuar martirët dhe respektuar familjet e tyre, shumica prej të cilave për fat të keq nuk dijnë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.
Drejtori i Administratës, Osman Hajdari, tha se deri tek kjo ditë për fillimin e punimeve në realizimin e këtij projekti është dashur përkushtim dhe angazhim maksimal, dhe se Kompleksi i Varrezave dhe Memoriali i Martirëve pritet të rregullohen brenda këtij viti, njoftoi ai.
E malli për familjarët e zhdukur dhe mërzia që gërryen shpirtin, ende janë të pranishme në zemrat tona, thotë zonja Shpresa Shehu, ku vetëm 45 martirëve nga 113 të vrarëve iu dihen varret .
Ndërsa, Agron Limani, falënderon të gjithë ata që po mundësojnë rregullimin e këtyre varrezave, në përkujtim të martirëve të këtij lokaliteti që u vranë mizorisht nga forcat armike dhe serbët lokal.
Ndryshe, kostoja e këtij projekti do të jetë 187 mijë euro, ndërsa dinamika e punimeve është paraparë të kryhet brenda 150 ditëve, njoftuan në fund zyrtarë të komunës së Prizrenit./ Tv Prizreni