FITORE E LEHTË DHE BINDËSE

Basketboll – Stobi Flips Liga U-16 e vajzave: Junior 06 – Drita 77:52 (17:6, 19:16, 26:10 dhe 14:20)

Basketbolkistet e KBF “Junior 06” kanë shënuar fitore të lehtë dhe bindëse ndaj skuadrës së Dritës së Gjilanit me shifrat 77:52.

Loja nisi me iniciativë të plotë të vashave prizrenase, të cilat falë efikasitetit të Merisa Bilallit çerekun e parë e përmbyllën me rezultat 17:6.

Në dhjetëminutëshin e dytë pamë një lojë më të balancuar. Vendëset shënuan 19 pikë, ndërsa udhëtueset 16 sosh. Me shifrat 36:22 skuadrat shkuan në pushim.

Edhe në çerekun e tretë basketbollistet e ekipit “Junior 06” mbizotëruan në parket. Falë pikëve të Morinës, Bilallit, Veçgishtit, Temajt, si dhe Ukës e Gashit në fund të kësaj periudhe epërsia u shtua edhe më shumë, 63:32.

Ky rezultat i mundësoi trajnerit Ramush Rushiti t’i angazhojë të gjitha lojtaret e reja. Kjo ndikoi paksa në rënie të efikasitetit, ndërkohë Kërçeli e Gjilanit në këtë pjesë të lojës realizoi 14 pikë, duke zvogëluar pak a shumë debaklin.


77:52 ishte rezultati përfundimtar i këtij ballafaqimi në të cilin tek vendëset u dalluan Merisa Bilalli me 26 pikë, Yllka Morina me 18 si dhe Arnisa Veçgishti me 15 sosh. Ndërkaq, tek gjilanaset u veçua Elmedina Kërçeli me 26 pikë të realizuara./ Vllaznim Bytyçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *