GAP-i analizon shtrenjtimin e produkteve, rekomandohet rritja e pagës minimale
Në vitin 2021 indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar rritje për 3.1 për qind, thuhet në një raport të Institutit GAP, ku vlerësohet se çmimi i prodhimit është rritur për 4.2 për qind, çmimi i importit 8.3 për qind si dhe kostoja e ndërtimit 10.9 për qind.
Kësisoj, Instituti GAP ka në këtë raport i ka dhënë përgjigje edhe arsyeve për rritjen ekonomike që u shënua në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Sipas këtij raporti, rritja ekonomike që u shënua vitin e kaluar ishte si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së brendshme, pakove fiskale për rimëkëmbje ekonomike si dhe mbështetjes nga diaspora.
“Një nga stimuluesit kryesor të konsumit, remitencat, deri në tetor të vitit 2021, shënuan po ashtu rritje vjetore prej 20 për qind, duke arritur vlerën 956 milionë euro për periudhën janar – tetor 2021. Një tjetër stimulues i rritjes së ekonomisë ishte eksporti i mallrave, i cili deri në tetor 2021 arriti vlerën prej 613.9 milionë euro, dukshëm më i lartë se eksporti në vitin 2019 dhe 2020 që ishte 383.5 milionë euro dhe 474.9 milionë euro respektivisht”, thuhet në komunikatë.
Ky raport tregon se me rritjen e aktivitetit ekonomik në Kosovë, ngjashëm me vendet tjera, u vërejt edhe një rritje në nivelin e çmimeve
Sipas raportit, paga mesatare neto ka pasur ndryshime përgjatë viteve, derisa ajo minimalja ka qëndruar në nivel të njëjtë.
“Nëse analizohet niveli i pagave në Kosovë, vërehet se tek paga mesatare neto ka pasur ndryshime përgjatë viteve, ndërsa paga minimale ka qëndruar në nivel të njejtë. Andaj, disa nga rekomandimet e mundshme për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve janë: rritja e pagës minimale, rritja e pagesave për përfituesit e skemave sociale, dhe intensifikimi i monitorimit të tregjeve për ‘marrëveshjet e fshehura’ nga ana e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës”, thuhet në komunikatën e GAP-it.
Në raport po ashtu theksohet se me rritjen e çmimeve ka pasur ankesa nga qytetarët të cilët kanë shfaqur dyshime për ekzistimin e ‘marrëveshjeve të fshehura’, të fiksimit të çmimeve të bukës dhe të floktarëve.