Gastronomët kërkojnë 10 milionë euro ndihmë nga Qeveria
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kërkon pako të veçantë ekonomike nga Qeveria e Kosovës. Në të kundërtën, gastronomët kanë paralajmëruar se nuk do t’i ndalin aksionet për të kërkuar mbështetjen financiare.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka deklaruar se gastronomia është ndër sektoret më të prekura nga pandemia, pasi një numër i madh i bizneseve janë mbyllur.
“Nëse nuk përkrahemi me ndonjë pako sektori i gastronomisë aksionet nuk do të ndalen dhe ne paralajmërojmë masa tjera sepse jemi dëmtuar shumë dhe stafin tonë që kemi me largu nga puna do ta dërgojmë para qeverisë”, ka thënë Kllokoqi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se kërkesa është që së sektorin e gastronimisë të ofrohen 10 milionë euro ndihmë nga Qeveria.
“Si gjithmonë sektori i gastronomisë ka qenë më i ndikuari negativisht nga pandemia dhe siç po e shihni në qytet ka më pak qarkullim të njerëzve dhe automatikisht ka rënë konsumi. Ne kemi rënë dakord që të kërkojmë pako të veçantë për sektorin e gasteonomisë ku ia kam dërguar një letër kryeministrit Hoti ku kam kërkuar që bizneset që po ballafaqohen me kufizime me u përkrah siç janë përkrah më herët”, ka deklaruar Rukiqi.