Gjykata e Apelit ia vërteton Burdushit dënimin me burg e gjobë

Hysni Peqani i njohur me emrin “Burdushi” në Janar të këtij viti ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj dënim me burgim dhe me 42 mijë euro dënim me gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, për mashtrim të vazhdueshëm, për armëmbajtje pa leje dhe për shpëlarje parash.Ky dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.Kolegji i gjykatës së Apelit në përbërje prej Ferit Osmani – kryetar i kolegjit, Vaton Durguti- gjyqtar referues, Burim Ademi – anëtar i kolegjit kanë marrë aktgjykim me të cilin e kanë vërtetuar vendimin e Themelores duke e lënë në burg Burdushin.

Lidhur me vendimin e shkallës së parë ankesë kishin paraqitur Departamenti i prokurorisë speciale duke kërkuar dënim më të lartë për të akuzuarin.Kurse mbrojtësi i të pandehurit Hysni Peqani, avokat Durim Osmani ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës si dhe pasuria e konfiskuar të lirohet, mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale të Aktgjykimit të themelores si dhe të shkeljes së ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimin lidhur me sanksionin penale.Apeli ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo me shkelje të tjera që do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të Themelores.Tutje shkalla e dytë e ka konstatuar se nuk qëndrojnë pretendimet e palës së pandehur se ka tejkalim të aktakuzës gjatë gjykimi të çështjes nga shkalla e parë pasi që nuk është gjykuar një ngjarje tjetër por ajo si në përshkrim të aktakuzës.

“Gjykata e Apelit gjen të pabazuar pretendimin ankimor për sa i përket tejkalimit të aktakuzës, në dëm të akuzuarit…Sipas vlerësimit të kësaj gjykate në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë tejkalimin e aktakuzës në kuptimin objektiv…Kjo për faktin se sipas aktgjykimit të animuar rezulton qartazi se gjykata nuk ka gjykuar për një ngjarjen tjetër nga ngjarja si në përshkrimin faktik të paraqitur në aktakuzë, pasi që në përshkrim faktik të veprimeve inkriminuese e të akuzuarit nuk ka munguar apo të ketë përfshirë faktet për një kualifikim më të rëndë të veprës penale nga ajo për të cilën e ngarkon aktakuza…”- thuhet tutje në vendimin e ApelitTutje kolegji i Apelit pas analizimit të provave si atyre personale dhe ato materiale të përshkruara në hollësi, ka ardhur në përfundim që gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë nga shkalla e parë.Apeli nuk ka mbështetur pretendimet ankimore të mbrojtësit të Burdushit, se për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe për veprën penale mashtrim në vazhdimësi, ka arritur parashkrimi absolut dhe relativ i ndjekjes penale.Apeli nuk u pajtua as me Prokurorinë Speciale e as me mbrojtësin e të pandehurit, Osmanin lidhur me shqiptimin e sanksionit penal.

“Duke vlerësuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet e prokurorisë për një dënim me të ashpër ndërsa ajo e mbrojtësve e të akuzuarit për një dënim më të butë, nuk janë të bazuara”- thuhet në vendimin e ApeliGjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtor Hysni Peqani i njohur me emrin Burdushi duke e dënuar me 4 vjet e gjysmë burg dhe 42 mijë euro gjobë për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe vepra të tjera penale si dhe ka vendosur që pasurinë që kalon vlerën e 2 milionëve të ia konfiskojë të akuzuarit.

Pasuria që do t’i konfiskohet, sipas aktakuzës është kryer me veprat e kundërligjshme për të cilat Burdushi akuzohet.“Gjykata pas shqyrtimit gjyqësor shpall këtë vendim që gjen fajtor të pandehurin Hysni Peqani dhe i shqipton dënim unik me 4 vjet e gjashtë muaj dhe 42 mijë euro me gjobë” – tha gjyqtari çështjes Lutfi Shala.
Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu, “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit./kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *