Hamami i Gazi Mehmed Pashës
Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës.
Është ndërtuar në vitin 1563-74, nga Gazi Mehmet Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës më 1573-4. Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrim (1833) e cila tregon datën e restaurimit të hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli. Hamami gjendet në kuadër të ansamblit arkitektonik të themeluar nga Gazi Mehmet Pasha, ku gjenden Xhamia e Bajraklisë, shkolla e mesme (medresa), shkolla fillore (mejtepi), biblioteka dhe mauzoleumi (tyrbja).
Hamami është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë. Është ndërtuar me gurë të ndryshëm. Pjesa e hamamit për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra.
Hamami ka të gjitha hapësirat që kanë hamamet e këtij lloji, pra përbëhet prej pjesës hyrëse (pjesa për pritje si dhe për pije), pjesës së garderobës, pjesës qendrore ku bëhej larja, djersitja, dëfrimi si dhe pjesës së kaldatores që gjendet në pjesën jugore të objektit.
Hamami është ndërtuar nga gur të ndryshëm në kombinim me tulla. Muret kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga ana e brendshme. Pullazi i objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Pjesa e garderobës dhe kaldatores është e mbuluar me qemerë. Mbulesa është me tjegulla në pjesën e ftohtë, ndërsa me pllaka të plumbit në pjesët tjera.
Deri në vitet 1964 Hamami ka qenë i rrethuar me lokale me ç’rast bëhet rrënimi i lokaleve dhe fillojnë punët restauruese-konservuese. Edhe në vitet 70 të shek. XX bëhen disa renovime ku pastaj lihet në mëshirë të kohës.
Gjatë viteve 2013-2017 në kuadër të projektit të hartuar nga QRTK Prizren dhe të mbështetur nga UNESCO, janë implementuar ndërhyrjet restauruese me ç’rast është bërë rehabilitimi i strukturës së kulmit, respektivisht kupolave, dhe vendosja e shtresave të mbulesës së kulmit.
Punimet më pas, në vitin 2018 kanë vazhduar me mbështetje të MKRS-së, ku janë bërë restaurimi i pjesës së jashtme të mureve.
Prej vitit 2000 pjesa e ftohtë e Hamamit shfrytëzohet si galeri për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative. Hamami paraqet njërën prej ndërtesave publike më karakteristike të periudhës Osmane në Prizren, me rëndësi të jashtëzakonshme historike, arkitektonike, shoqërore dhe mjedisore./ Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës