Haradinaj në Prizren: Nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar fabrikën për përpunimin e metaleve “Lely” ShPK, në Prizren.
Me këtë rast ai ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për ndonjë parti, por që tha se PDK-ja po i nguc kohët e fundit.
Kreu i AAK-së tha se ky i fundit nuk do të merret me këtë parti ngase sipas tij krerët e saj nuk gjenden në Kosovë, duke iu referuar dy ish-krerëve të kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
“Nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti. PDK-ja këto ditë po na nguc nga pak”.“Unë nuk i nguci pasi Thaçi e Veseli nuk janë këtu. Do të kemi rritje. Të dalim e para në zgjedhje pak vështirë”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se e ka të pamundur të besojë që ka lloj të tillë teknologjie kaq të avancuar në Kosovë.
“Jemi në disa kapacitete që janë përpunuese e prodhuese. Pamë që ka bakër dhe produkte tjera të dedikuara për tregun e jashtëm. Për mua e pabesueshme me pa këtë teknologji të avancuar në Kosovë, sisteme të punës më të avancuara”, ka theksuar ai.
Ai shpreson që tregu kosovar të arrijë atë nivel që disa nga këto produkte të kësaj fabrike të mbesin në vend.“Shpresoj që tregu i Kosovës do ta arrijë një nivel standard që të mund t’i absorbojë këto produkte mos të shkojnë jashtë të gjitha”, është shprehur ai.