Hulumtimi: Më shumë se gjysma e të anketuarve do të largoheshin nga Kosova, po të kishin mundësi
Më shumë se gjysma e të anketuarve në hulumtimin e opinionit publik të realizuar nga PIPOS, të prezantuar ekskluzivisht në Rubikon të Klan Kosovës, duan që të largohen nga Kosova.
50.5 % e 1050 respondentëve janë përgjigjur me “po” në pyetjen “A do të emigronit nga Kosova nëse do të kishit mundësi?”.
38.6 % e të anketuarve kanë thënë “jo”, 7.9 % janë shprehur se nuk janë të sigurtë se çfarë do të bënin, derisa 3 % kanë refuzuar që të përgjigjen.
Në ndërkohë, gati gjysma e të anketuarve nga PIPOS kanë thënë se, përpos dëshirës për t’u larguar nga Kosova, kanë një plan konkret për emigrim.
Pyetjes “A keni plan konkret për emigrim ju ose një anëtar i ngushtë i familjes tuaj” i janë përgjigjur pozitivisht 44.2 % e të anketuarve.
40.3 % e respondentëve janë përgjigjur me “jo”, 8.9 % kanë thënë se nuk janë të sigurtë, derisa 6.6 % kanë refuzuar krejtësisht të përgjigjen.