I dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren: Ishte e momentit, ata më kanë sulmuar mua – kemi probleme qe 10 vjet
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, në seancën dëgjimore Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Aziz Gashi, i cili po dyshohet për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren, derisa i dyshuari ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.
“Me vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se mvjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull m’u kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt” ka thënë i dyshuari Gashi.
Paraprakisht, prokurorja Ervehe Gashi pas leximit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit tha se qëndron në tërësi pranë së njëjtës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gashi tha se duke pasur parasysh se në këtë çështje penale sapo kanë filluar hetimet dhe se i njëjti ende nuk është marrë në pyetje pranë Prokurorit të Shtetit, për të sqaruar dhe zbardhur gjendjen faktike të kësaj çështje penale.
Po ashtu, prokurorja tha se në Polici i dyshuari ka thënë se ka vendosur të mbrohet në heshtje, andaj me lënien në liri i njëjtit mund të ndikojë në deklarimet e dëshmitarëve, të dëmtuarve si dhe të dyshuarve të tjerë që i kanë ndihmuar pas kryerjes së veprës penale për t’u fshehur dhe për t’i fshehur provat materiale.
Tutje, ajo tha se i dyshuari Gashi nuk mund të mbrohet në liri duke marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë dhe peshën e veprave penale, pasi që bëhet fjalë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, për të cilat vepra penale, sidomos për veprën e parë penale parashihet dënim kapital, faktin se kjo vepër penale ka tronditur tërë opinionin publik dhe se vepra është kryer para anëtarëve të ngushtë të familjes dhe ka ka sjellë frikë tek qytetarët e Kosovës.
Nga të gjitha këto rrethana, Gashi tha se nëse i njëjti lejohet të mbrohet në liri, do të mund të përsëritë vepra penale të këtilla apo vepra të reja penale.
Në fund, prokurorja Gashi tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga Kodi i Procedurës Penale për caktimin e masës së paraburgimit.
Ajo theksoi se ka analizuar të gjitha masat alternative për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe të gjitha provat, por se masa e paraburgimit është masa me të cilën sipas saj do të bëhet hetimi i papenguar në këtë çështje penale.
Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, nuk e ka kundërshtuar mbrojtësja e të dyshuarit Gashi, avokatja Drenusha Berisha.
Masën e paraburgimit, e njëjta e ka cilësuar si masë mbrojtëse dhe siguruese për të mbrojturin e saj, me arsyetimin se gjatë konsultimit me të dyshuarin Gashi, i njëjti ka pohuar se tash e sa vite është në gjendje të rënduar psiqike për të cilën tha se ekzistojnë edhe raporte nga mjeku.
Berisha tha se do të sigurojnë raportin psikiatrik dhe se të njëjtin do t’ia dorëzojë gjykatës dhe ka kërkuar që ndaj të dyshuarit Gashi të bëhet ekzaminimi psikiatrik, pastaj të mund të deklarohet rreth përgjegjësisë dhe peshës së fajit të tij.
Me qëndrimet e mbrojtëses së tij, është pajtuar i dyshuari Gashi.
Pas kësaj, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha tha se lidhur me kërkesën e Prokurorisë dhe pretendimet e palëve, do të vendosë me aktvendim të veçantë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 5 shtator 2023, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Aziz Gashi.
Gashi po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 137 dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 parag.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në kërkesë thuhet se i dyshuari Aziz Gashi, më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri Aziz me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H.M (bashkëshortja e viktimës), A.M (vajza tetë vjeçare e viktimës), R.M dhe H.Sh.
Tutje thuhet se, Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, në kërkesë thuhet se të dëmtuarat H. dhe A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa i dëmtuari R.M., arrin të fshihet prapa një muri në afërsinë e vendit të ngjarjes, e i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H.Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”, i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan”, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.M, A.M, R.M dhe H.Sh., ua rrezikon jetën.
Për këto veprime, Gashi po dyshohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Gashi po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 i Kodit Penal, pasi më 4 shtator 2023 në Prizren në shtëpinë e tij e cila gjendet në rr.”Fetah Sylejmani”, në lagjen “Arbana”, gjendet arma në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë pushkë automatike AK-47, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H.M., A.M., R.M dhe H.Sh., e të cilën policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë, Komuna e Malishevës.
Sipas arsyetimit të kërkesës së Prokurorisë, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e masë së paraburgimit ndaj të pandehurit Gashi.
Ndryshe, Policia më 4 shtator 2023 konfirmoi për arrestimin e të dyshuarit.
Në njoftimin e Policisë, thuhej se nga ana e njësiteve policore përgjegjëse janë ndërmarre të gjitha veprimet e duhura procedurale, hetimore e ligjore. Sipas Policisë, kanë vazhduar veprimet operative- hetimore për të lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin e rastit të vrasjes.
“Gjatë ditës së sotme me urdhër të Prokurorit dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, është bastisë një lokacion në Malishevë ku është dyshuar se mund të gjendet I dyshuari, në atë lokacion nuk është gjet i dyshuari por është gjet një armë-pushkë automatike që dyshohet se është përdor në rastin e krimit, në lokacionin e njëjtë janë gjet edhe disa sendet personale të dyshuarit”, thuhej në njoftim.
Tutje thuhet se veprimet operative-hetimore kanë vazhduar duke kontrolluar lokacione të ndryshme, kryesisht në rrethinën e Malishevës. Policia njoftoi se në operacion për kërkimin e të dyshuarit përveç Sektorit të Hetimeve të Drejtorisë të Policisë në Prizren kanë asistuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës/Stacioni Policor Malishevë dhe njësi të tjera nga Drejtoria e përgjithshme.
“Me vonë në orët e mbrëmjes nga Hetuesit e Rajonale dhe Njësia e Reagimit të Shpejt të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, në fshatin Tërpezë të Malishevës, është lokalizuar dhe është arrestuar I dyshuari Aziz Gashi, për të cilin me herët nëpërmes mediave është informuar publiku se është në kërkim nga policia”, thuhej në njoftim.
Pas intervistimit, thuhej se i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar u ndalua për 48 orë, ndërsa policia me autorizim të prokurorit të rastit vazhdon mbledhjen e provave dhe dëshmive.
Ndryshe, prokurorja Ervehe Gashi më 4 shtator 2023 kishte treguar për veprimet të cilat i ka ndërmarrë, ku tha se janë kryer dy bastisje si dhe veprime të tjera për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit.
“Po, për të dyshuarin A.G, mbrëmë i kemi bërë dy bastisje nuk kemi mujt me gjet, i kemi dërgu nëpër pika kufitare informata te kerrit edhe informata te personit të dyshuar dhe automjetit , i kemi dërguar të dhënat personale në Aeroportin “Adem Jashari”, deklaroi ajo, duke shtuar se lidhur me identifikimin e të dyshuarit do të lëshohet urdhëresë për publikimin e fotos së tij.
“Sot në mëngjes e kam lëshu urdhëresën per autopsi tash po shkoj me lshu urdhëresën për publikimin e fotos së tij”, kishte thënë prokurorja Gashi.
Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte sjellë deri tek rasti tragjik.