I riu në Dragash lëndohet rëndë, i doli përpara dhe u mundua ta ndal veturën që u nis vetë nga parkingu
Një incident i rëndë ka ndodhur të hënën në Dragash, ku një person është dërguar pa vetëdije në spital si pasojë e lëndimeve të marra aksidentalisht.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se 24-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa qenë në gjendje të komunikojë. Fillimisht është menduar që ai ka pësuar vetaksident pasi vetura e tij ishte e përplasur në një pemë dhe për këtë është njoftuar Policia e Kosovës.
Por pasi u këndell, 24-vjeçari ka deklaruar para policëve se është lënduar pasi vetura e tij që ishte e parkuar kishte dalë vetë nga shpejtësia dhe ishte nisur në rrugë të pjerrtë.
Duke tentuar që ta ndalojë, i riu i kishte dalë përpara dhe vetura e kishte shypur për peme.
Sinjali mëson se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe për këtë arsye vazhdon të trajtohet në Spitalin Rajonal në Prizren për disa ditë me radhë.