I riu në Prizren ushtron dhunë ndaj babait të tij, ai detyrohet ta denoncojë në Polici
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në Prizren, ku një 26-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 50-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se i biri i ka bërë presion dhe ka ushtruar dhunë psikike sistematikisht ndaj tij, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Ajo që e bën më shqetësuese këtë rast është se i dyshuari është përdorues i substancave narkotike.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta raportojë djalin në Polici dhe si rezultat i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.