IKSHPK: Duhanpirësit kanë më shumë gjasa të sëmuren më rëndë me COVID-19
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një shkrimi në Facebook në ditën botërore pa duhan, ka treguar për rreziqet që sjell konsumimi i duhanit.
Nga IKSHPK-ja, kanë thënë se edhe këtë vit tema për ditën Botërore pa duhan është “zotimi për të lënë duhanin”
“Zotohem për të lënë duhanin Çdo vit më 31 Maj Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët global organizojnë Ditën Botërore pa Duhan. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit të popullatës për rreziqet që mund të sjell konsumimi i duhanit. Kjo ditë është shpallur për herë të parë në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në shkrimin e IKSHPK-së.
Të njejtit kanë bërë të ditur se duhanpirësit kanë më shumë gjasa të sëmuren më rëndë me COVID-19 krahasuar me jo- duhanpirësit.
“Duhanpirësit kanë më shumë gjasa të sëmuren më rëndë me COVID-19 krahasuar me jo- duhanpirësit. Kjo ka ndikuar që miliona duhanpirës të zotohen për të lënë duhanin Globalisht, afërsisht 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhanpirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivelin prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente. Duke siguruar që e gjithë shoqëria, veçanërisht personat më të cenueshëm, kanë qasje në shërbimet për lënie të duhanit, rriten shanset e suksesit dhe sigurohet përparimi drejt një të ardhmeje pa duhan. Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 8 milion njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme.Çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit”, thuhet në njoftimin e tyre.