Ish-Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiq, u shpall Qytetar Nderi i Prizrenit
Në një seancë solemne të Kuvendit të Prizrenit, Ish-Presidenti i Kroacisë Stjepan “Stipe” Mesiq, u shpall sot Qytetar Nderi i Prizrenit.
“Presidenti Mesiq është mik i pazëvendësueshëm, kontribues i pashembullt, njeri i jashtëzakonshem e politikan që ka lënë gjurmë në historinë e Ballkanit, për mbështetjen ndaj popullit shqiptar. Prandaj, sot, të gjithë së bashku jemi mbledhur që ta nderojmë një personalitet të jashtëzakonshëm si Presidenti Stjepan Mesiq dhe t’i shprehim edhe një herë mirënjohjen, në emër të popullit tonë, për gjithçka që ai ka bërë për shqiptarët kudo qe janë” – tha me këtë rast Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj.
“Në cilësinë e Presidentit të fundit të ish-Jugosllavisë, në kohën më të vështirë për shqiptarët, kur regjimi i Millosheviqit kishte filluar të përdorte dhunën sistematike, ndalimin e shkollave shqipe dhe shtypjen e shqiptarëve, z. Mesiq publikisht kundërshtoi fuqishëm regjimin e padrejtë të Millosheviqit, që më vonë shkaktoi dhe një ndër luftërat më të dhimbshme dhe të përgjakshme në Evropë” u shpreh Kryetari Totaj.
Ndërsa, Presidenti Mesiq, iu falënderua qytetarëve të Prizrenit, posaçarëshit Kryetarit Totaj, për nderin e madh që iu bë sot.
“Jam jashtëzakonisht i nderuar për pritjen që ma bëtë sot. Falënderoj Kryetarin Shaqir Totaj i cili ka një vizion prej evropiani dhe marrëdhënien tonë do ta fuqizojmë edhe më shumë me Prizrenin dhe qytetarët e tij” – theksoi z. Mesiq.
“Kam punuar gjithmonë në bashkëveprim me ligjin dhe me njerëzoren, gjë që e kam shfaqur haptas edhe për shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë kohës. Mendoj se Evropa duhet ta kuptoj se sa më parë që bashkon Kosovën në gjirin e saj, nuk do t’i ndihmojë vetëm shqiptarëve, por, edhe vetës së saj, pasi shqiptarët janë popull evropian, jo vetëm me pozitë gjeografike” – tha Stipe Mesiq.
Të dyja delegacionet shkëmbyen dhurata gjatë takimit të sotëm. Ndër to, Kryetari Totaj i dhuroi Presidentit Mesiq “Vrapuesen e Prizrenit” të punar me filigran, që është vepër unike dhe ndër veprat më të bukura të skulpturës së imët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gadishullin Ilir e që është gjetur në Prizren.
Kujtojmë se gjatë presidencës së z. Mesiq, Kroacia e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.