Ja kur iu dalin studentëve shtesat e qeverisë prej 100 euro
Ekzekutimi i shtesave nga 100 euro për grupin e parë të studentëve aplikues pritet të ndodhë brenda këtij muaji.
Ani se nuk është bërë i ditur numri i studentëve që kanë aplikuar për mbështetje me nga 100 euro nga Pako për Përballje me Inflacion, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se po synojnë që brenda muajit nëntor të ekzekutohen shtesat për grupin e parë të studentëve aplikues.
Kryeziu thotë për KosovaPress se kanë themeluar Komisioni Zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Sipas tij, ky komision është në komunikim të rregullt me Universitetet për konfirmimin e listave.
“Tashmë kemi themeluar Komisionin zbatues, përgjegjës për verifikimin e të dhënave të aplikimeve. Ky komision është në komunikim të rregullt me universitetet për konfirmimin e listave. Varësisht nga konfirmimet, po synojmë që brenda muajit të ekzekutojmë shtesat për grupin e parë e studentëve aplikues”, tha Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress.
Aplikimi për studentët ka qenë i hapur deri më 6 nëntor, në platformën eKosova ndërsa të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Kosovë.
Deri më tash shtesat nga qeveria janë ndarë për pensionistët nga 100 euro, për kategoritë sociale dhe për punonjësit e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor nga 50 euro.
Ndërsa, për punëtorët e ndërmarrjeve publike ende nuk janë ndarë shtesat e një hershme nga 100 euro. Sindikatat nga kompanitë publike njoftojnë për KosovaPress se qeveria ka kërkuar listat e punëtorëve për ndarjen e mjeteve shtesë për punëtorët që kanë pagë më të vogël se 1 mijë euro.
Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.
Ndërsa, për punëtorët e sektorit privat, ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për tre muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme.
Sipas Muratit secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor.