Java Evropiane e Imunizimit, Spitali i Prizrenit thekson rëndësinë e vaksinimit

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa” në Prizren në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit ka theksuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e shëndetit individual dhe atij kolektiv.

“Java Evropiane e Imunizimit, që zhvillohet çdo vit në fund të prillit, na kujton fuqinë e madhe që kanë vaksinat: fuqinë për të shpëtuar jetë, për të parandaluar sëmundje dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Prizrenit.

Aty theksohet se vaksinimi është një akt solidariteti.

“Ky është momenti që të ndalemi dhe të reflektojmë – jo vetëm për mbrojtjen tonë personale, por për sigurinë e komuniteteve tona. Të vaksinohesh nuk është thjesht një akt individual, është një akt solidariteti. Çdo vaksinë është një hap drejt shëndetit të përbashkët”, ka përkujtuar ky Spital.

Në të njëjtën kohë është bërë thirrje për ndërgjegjësimin e komunitetin lidhur me rëndësinë e vaksinimit.

“Le ta shfrytëzojmë këtë javë për të përhapur informacion, për të ngritur zërin për shkencën dhe për të thyer mitet, që shpesh bëhen pengesë për një shoqëri më të shëndetshme. Sepse kur të gjithë vaksinohen, të gjithë fitojnë”, përfundon njoftimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *