“Kam me të mbyt ty dhe vëllain, kam me ia q.. nënën”, paraburgim për prizrenasin që kapi për flokësh gruan
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 17.08.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.09.2022, ndaj të pandehurit E.E., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 par.3 nën par. 3.1 lidhur me par.1 dhe veprën penale kanosja, nga neni 181 par. 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Me datë 14 gusht, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme, i pandehuri me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, në atë mënyrë derisa e dëmtuara ishte kthyer në shtëpi, i pandehuri e kap për flokë dhe ia shtrëngon krahun duke e tërhequr zvarrë për flokë e për krahu e duke i thënë fjalë ofenduese “dil nga shtëpia” dhe vazhdon me ofendime, me të cilat veprime e dëmtuara pëson lëndime trupore të përshkruara sipas raporteve mjekësore
Se nga data 14 gusht e në vazhdimësi i pandehuri E.E., e kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarës “kam me të mbyt ty dhe vëllain, kam me ia q.. nënën, me mua nuk e keni lehtë dhe nuk ka me ju dal mirë” me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Duke marrë parasysh faktin se procedura hetimore është në fazën fillestare, në vazhdimësi duhet të merren edhe prova tjera me qëllim të zbardhjes së rastit, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit me qëllim që të parandaloj pengimin e rrjedhës së hetimit, dhe ndikimit në prova apo deklarata të dëshmitarëve.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në këtë fazë, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, dhe zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore.