Këmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë u rriten për 100 milionë euro në vitin 2023
Vëllimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është rritur për 100 milionë euro gjatë vitit 2023.
Kështu është thënë gjatë takimit mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ministrit për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
“Kënaqësi të takohemi e të thellojmë angazhimin e përkushtimin tonë për bashkëpunim sa më të ngushtë”, citohet Bisilimi në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi vuri në pah bashkëpunimin ndërqeveritar, i cili ka njohur zbatim të plotë dhe efektiv të pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë kësaj qeverisjeje. Marrëveshjet tashmë të zbatuara kanë kontribuar pozitivisht në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë e bashkëpunim ndërkufitar të frytshëm mes shumë të tjerash.
Ministri Hasani iu bashkëngjit këtij konstatimi duke theksuar intensifikimin e vëllimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është rritur për 100 milionë euro vetëm vitin e kaluar.
Më tej, u diskutua rreth sfidave të përbashkëta ku mund të bashkëpunojmë akoma më shumë, si integrimi evropian, mirëpo edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkërendimit për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, e në veçanti në Luginën e Preshevës, patur parasysh diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët.
Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri Bislimi përmendi masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të përkrahur Luginën. Të dy u pajtuan që kontributi i përbashkët është i rëndësishëm, e për sa më shumë vëllim e peshë të përkrahjes sonë për shqiptarët atje.
“Qëndrojmë me dëshirë të mirë e energji të plotë, për ta rritur bashkëpunimin e afruar shtetet tona sa më afër me njëri tjetrin. U diskutua dhe mbi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në sfera të ndryshme, veçanërisht anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ku ministri shprehu gatishmërinë e tij për të përkrahur Kosovën në këtë drejtim”, citohet në komunikatë.