Keni kaluar COVID-in dhe keni ende simptoma? Mjeku shqiptari tregon se si duhet të veproni
Kreu i Urgjencës Kombëtare në Shqipëri, Skënder Brataj ka dhënë një mesazh sqarues për personat, të cilët e kanë kaluar koronavirusin dhe kanë shenja për një kohë të gjatë.
“Kontrolle post Covid-19 duan ekzaminime specifike sidomos për mushkëritë si. Duhet testi i ecjes në këmbë, skaneri i mushkrive, teste laboratorike. Sidoqoftë është kujdesi parësor që monitoron ecurinë e gjendjes post Covid-19”, thekson Brataj në një postim të gjatë në Facebook .
Megjithatë, sipas mjekut, edhe shqetësimi nuk duhet të jetë për çdo gjë.
“Në rastet kur shohim imazhe akoma në fazë rizolutive në mushkeri, nuk duhet të alarmohemi, sepse fushat e mushkërive pastrohen pas një periudhe kohore rreth 3 muaj”, thotë Brataj.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Si duhet të veprojmë pasi kemi kaluar Covid-19 dhe kemi persistencën e shenjave për një kohë të gjatë(Long Covid-19)?
Quhet sindroma Long Covid-19, ose Post-Covid -19 periudha pasi kemi kaluar sëmundjen. Ajo karakterizohet nga pasoja që mund të ngelen me ditë, javë ose muaj para se të shërohen plotësisht. Ato janë veçanërisht në ata që kanë kaluar sëmundjen në një formë të mesme ose të rëndë dhe me pneumoni. Pasojat e raportuara në literaturë tregojnë se janë dëmtimet që i përkasin mushkërive, ato kardiologjike, renale, hepatike, neurologjike me një përqindjet të këtyre shqetësimeve që variojnë nga 5 në 50%. Për këtë arsye duhet të kemi parasysh mënyrën e ndjekjes së këtyre personave dhe ekzaminimet që duhet të kryhen.
Kontrolle post Covid-19 duan ekzaminime specifike sidomos për mushkëritë si (CDI propozon pletizmografi dhe DlCO(shpërndarjen alveolare kapilare të monoksidit të karbonit),( Provat pulmonare). Testi i ecjes në këmbë(Caming Test), skaneri i mushkrive, teste laboratorike. Sidoqoftë është kujdesi parësor që monitoron ecurinë e gjendjes post Covid-19.
Në literaturë, prevalenca e pacientëve me simptoma në javët e fundit ose muaj pas kalimit të sëmundjes dhe negativizimit të parametrave është rreth 10%. Shumë prej këtyre pacientëve kanë pasur probleme me mushkritë dhe frymëmarrjen. Një shenjë e shpeshtë që është hasur është humbja e nuhatjes dhe shijes e cila shpesh është prezantimi i vetëm i post-Covid-19.
Kohëzgjatja e tyre ndryshon nga personi në person, biles ka pasur edhe pas një viti që nuk janë shëruar plotësisht nga ky shqetësim. Ato kanë qenë të formave me çrregullim të lehtë, ose në përmirësim shumë të ngadaltë. Nuhatja rekuperohet zakonisht pas shijes. Ajo mund kthehet përmes trajtimeve të përsëritura 20-30 minuta me esenca të tilla si trëndafili, eukalipt, karafil, limon e tjer, për 12 javë.
Më pak të shpeshta, por po aq të përsëritura janë, dhimbje të kyçeve, muskujve, kolla e thatë, dispnea kronike, veçanërisht si rezultat i pneumonisë intersticiale, lodhje kronike dhe dhimbje koke. Ato zakonisht kanë trajtim simptomatik me medikamente të ndryshme kundër dhimbjeve ose shqetësimeve të tjera të cilat reagojnë mirë. Po ashtu kërkohet terapi specifike për rehabilitimin e frymëmarrjes, për të rekuperuar indet e dëmtuara dhe vatrat e shumta të pneumonisë. Pacientët duhet të fillojnë një aktivitet të lehtë fizik, fillimisht duke praktikuar fryrjen e tullumbaceve disa herë në ditë dhe duke bërë fizioterapi të mushkrive, pastaj gradualisht të kthehen në jetën e përditshme. Shenja të tjera janë, humbje e përkohëshme e flokëve, diabeti post-kovid, një sindromë e njohur nga përdorimi i kortikosteroideve në pacientë ku ato janë përdorur. Po ashtu sindroma e stresit post-traumatik me ankth, depresion, pagjumësi.
Analizat për të sugjeruar këtyre pacientëve kush janë?
CT(Skaner i mushkërive), në rastin e pneumonisë intersticiale, por jo menjëherë. Këshillohet nëse provat e mushkrive tregojnë ndryshime të parenkimës edhe një muaj pas negativizimit. Në rastet kur shohim imazhe akoma në fazë rizolutive në mushkri, nuk duhet të alarmohemi, sepse fushat e mushkërive pastrohen pas një periudhe kohore rreth 3 muaj. Analizat laboratorike gjatë sëmundjes tregojnë se ato inflamatore ndryshojnë shumë (PCR, Ves), ndërsa rruazat e bardha të gjakut ndryshojnë pak ose janë në proporcion të ulët, ndryshe nga pneumonia bakteriale në të cilën ato rriten në 20-30 mijë herë më shumë. Pra, analizat laboratorike që duhet të kontrollojmë janë: gjak komplet me formulë leukocitare, D-Dimeri, Fibrinogjeni dhe Ferritina.
Këto kontrolle mund të përsëriten dhe mund të menaxhohen nga mjeku i familjes. Ecuria e periudhës pas Covid-19 edhe pse zgjat në kohë, është zakonisht e mirë.
Ato raste të cilat janë më të shprehura dhe rezistente duhet tu drejtohen specialitetve përkatëse.
Dr.Skender Brataj