Kërcënoi prindërit se do u djeg shtëpinë pasi nuk i dhanë para, Gjykata merr vendim për të dyshuarin
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur dënimin me gjobë dhe një vit burgim për një të dyshuar i cili përderisa ishte nën ndikimin e narkotikëve kishte kanosur prindërit e tij.
Sipas njoftimit të Gjykatës i dyshuari nën ndikimin e narkotikëve u kishte kërkuar prindërve të tij 100 euro, ose në të kundërtën do t’ua djeg shtëpinë.
Sipas njoftimit të gjykatës ai ka shkaktuar frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri tek prindërit.
Komunikata e plotë:
Prizren, 27 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ( gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit B.M., për shkak se:
– Me datë 24.04.2020, në Prizren në shtëpinë e përbashkët familjare, ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike me qëllim të të cënimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, përkatësisht ndaj të dëmtuarve – prindërve të tij, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje duke qenë nën ndikimin të përdorimit të narkotikëve, kërkon nga prindërit e tij para në vlerë prej 100 euro, dhe kur këta të fundit nuk i japin para, i njëjti në mënyrë agresive fillon ti ofendojë, fyejë, e shajë si dhe i kanos se do ti djeg shtëpinë dhe fillon të gjuajë me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë me ç ‘rast, tek të dëmtuarit shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri,
me këtë ka kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 par. 1 e 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar :
Dënim me GJOBË në shumën prej pesëqind (500) euro, të cilën shumë të dënimit i akuzuari është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimi, dhe
DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 24.04.2020 e deri më 23.05.2020.
I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i vetëm gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.