Kërkohet dënim më i lartë ndaj Darko Tasiq
Me pankartat “Duam drejtësi, dënim për kriminelin”, “Krusha nuk fal gjak”, “Ku janë? 20 vjet në pritje Krusha e Vogël”, disa banorë të Krushës kanë protestuar para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, pas përgjysmismit të dënimit të kriminelit Darko Tasi.
Banorët e Krushës së Madhe dhe të Vogël po protestojnë në shenjë revolte me uljen e dënimit ndaj, Darko Tasiq.
Të irrituar nga ky vendim krushjanët protestuan para Pallatit të Drejtësisë në shenjë revolte ndaj këtij vendimi.
Shpresa Shehu, përfaqësuese e fshatit Krushë e Vogël ka thënë se janë tejet të shqetësuar me këtë vendim. Por ajo u shpreh edhe e indinjuar me injorimin e përfaqësuesve të Gjykatës, pasi nga ajo nuk doli askush para familjarëve të flas për këtë rast.
“Prej tyre i kemi të pagjetur 68 persona, ende nuk e dimë ku janë eshtrat e 68 personave. 21 vite ne po presim për me i varros e zhvarros . Ne kemi ardhur sot të kërkojmë drejtësinë, por nuk janë në gjendje të vijnë para familjarëve t’i thotë dy tri fjalë dikush, kjo është edhe një padrejtësi ndaj nesh”, tha ajo.
Shehu tha se Tasiq ka qenë krimineli i vetëm që është dënuar në rastin e Krushës, por edhe atij i’u përgjysmua dënimi.
“Me të vërtet krimineli ka pasur dënimi edhe jo të mjaftueshëm me sa krimet i ka bërë në fshatin tonë e fshatrat përreth. Edhe tash nuk janë në gjendje t’i thonë dy tri fjalë kryetari i Gjykatës apo ndonjë përfaqësues tjetër. Ky është i vetmi kriminel që është dënuar në rastin e Krushës, edhe sa të tjerë janë, por edhe këtij i’a përgjysmuan dënimin”, tha ajo.