Kërkohet heqja e orës policore dhe masave tjera kufizuese
Kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë që të largohet ora policore dhe masat tjera kufizuese që janë në fuqi. Këtë kërkesë do të ia paraqesin të mërkurën ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën do t’i diskutojë masat e reja anti-Covid, me kryetarët e komunave të vendit, aty do të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se janë duke u koordinuar kërkesat e komunave, përmes kryetarëve të tyre.
“Jemi duke i koordinuar kërkesat e komunave përmes kryetarëve të komunave. Jemi në kontakt me kryetarë dhe kryetarët janë shumë të angazhuar sa i përket zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se kërkesë e komunave është largimi i masave kufizuese që janë në fuqi.
“Pra, përveç vaksinimit të popullatës, largimit të kufizimit të lirisë së lëvizjes, komunat janë të interesuara që të largohen masat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokale. Pra, edhe një herë, kryetarët kërkojnë që të ketë kujdes sa i përket shëndetit publik mirëpo gjithnjë duke shtuar kujdesin për zhvillim ekonomik lokal duke marrë për bazë se shumica e shteteve, jo vetëm në rajon, janë duke i liberalizuar masat”, ka deklaruar Ibrahimi .
Takimi virtual i Vitisë me krerët e komunave të vendit do të mbahet në orën 10:00.
Aktualisht në Kosovë janë 3 mijë e 551 raste aktive me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të hënën ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 14 raste pozitive me COVID-19, ka vdekur një person ndërkaq janë shëruar 93 të tjerë.