Kërkohet paraburgim ndaj pesë të pandehurve për falsifikim të parave në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës, i pandehuri B.B., gjatë muajit Tetor deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Prizren është vërtetuar se i njejti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P., 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) të gjitha në monedha metalike nga 2 € (dy euro), me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € (Nëntëqind euro) duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € (treqind euro) falso paguan 200.00 € (dyqind euro) origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € (Katërqind euro) falso paguan 300.00 € origjinale derisa në herën e tretë për 550.00 € (pesëqind e pesëdhjetë euro) falso paguan 400.00 € (katërqind euro) origjinal ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) falso. Në këtë mënyrë B.B., ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës së muajit Tetor deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore i pandehuri T.P., ia dorëzon kolegëve të tij – këtu të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, ashtu që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VW Polo’’, e parkuar në bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë i njejti së bashku me kolegët e tij – të pandehurit: V.Z., L.E., dhe A.P., në mënyra periodike marrin nga 100 € të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga 2 € dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin në fjalë, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta, me ç’rast policia e Kosovës pas zbatimit të urdhër-kontrollit arrijnë t’i gjejn 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ‘’VW Polo’’, në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € (Treqind e nëntëdhjetë euro) falso.
Në këtë mënyrë, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Të pandehurit e lartëcekur, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera hetimore.