Koalicionet e balotazhit: Kush kë do ta përkrahë në raundin e dytë
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në gjithsej 21 komuna të Kosovës. Bashkëpunimet mes partive do të jenë të pashmangshme, nëse jo me koalicione klasike atëherë me marrëveshje mes tyre, shkruan Gazeta Express.
Balotazhi i 14 nëntorit në kryeqytet do të jetë mjaft interesant mes VV-së dhe LDK-së.
As Arben Vitia e as Përparim Rama s’kanë njoftuar për ndonjë koalicion e as për ndonjë marrëveshje për mbështetje me partitë konkretisht me PDK-në, AAK-në dhe AKR-në.
Megjithatë, fituesi i garës në Mitrovicë, Bedri Hamza para disa ditësh në Pressing ka deklaruar se PDK-ja mund ta ndihmojë LDK-në në Prishtinë, nëse LDK e ndihmon PDK-në në Prizren.
“Prishtinë me Prizren. Unë besoj që është në interes të PDK-së me të ketë marrëveshje me qëllim me qenë pjesë e qeverisjes dhe e ekzekutivit për në Prishtinë”, kishte deklaruar Hamza.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të PDK-së lidhur me atë se a do ta mbështesin ndonjërin nga kandidatët por deri në publikimin e tekstit s’ka marrë përgjigje.
As kandidati i LDK-së, Përparim Rama s’është përgjigjur nëse ka zhvilluar bisedime me ndonjërën parti për mbështetje në balotazh.
Gjakova është komuna tjetër që do të ketë balotazh, aty do të përballen Ardian Gjini i AAK-së dhe Mimoza Kusari e VV-së.
Mimoza Kusari-Lila, kandidate e VV-së për kryetare të Gjakovës i tha Gazetës Express se s’ka asgjë konkrete nga bisedimet me partitë tjera për mbështetje.
“Konkrete s’ka asgjë, jemi në diskutime me PSHDK-në dhe LDK-në por nuk kemi konkretizu asgjë. Kemi ardhë në fazën e diskutimit të koalicioneve gjë e cila ka mbet me u trajtu”, tha ajo për Express të martën.
Kandidati i PSHDK-së për kryetar të Gjakovës, Ferdinand Kolaj që është renditur i treti në raundin e tretë tha se ende s’kanë vendosur se cilin kandidat do ta mbështesin.
“Jo ende nuk është vendosur. S’ka asgjë të re në këtë drejtim”, tha Kolaj në një përgjigje për Express.
Garë interesante do të jetë edhe në Prizren mes Mytaher Haskukës së VV-së dhe Shaqir Totajt të PDK-së.
Partia e tretë me vota në zgjedhjet e 17 tetorit në këtë komunë ka dalë LDK-ja dhe kandidati i saj Anton Quni.
Express ka kontakuar Qunin për ta pyetur se cilin kandidat do ta përkrahin në Prizren, por që i njëjti është shprehur se nuk kanë vendosur akoma për këtë çështje.
“Ende s’ka asgjë konkrete. Kur të ketë diçka konkrete e bëjmë publike qëndrimin”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Në Gjilan, do të ketë “luftë” për çdo votë mes Lutfi Hazirit e Alban Hysenit marrë parasysh diferencën e ngushtë mes tyre.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se do të ketë koalicion me qytetarin, megjithatë disa parti kanë vendosur ta mbështesin këtë të fundit në balotazh.
AAK dega në Gjilan përmes një deklarate mbështetëse kanë marrë vendim që ta mbështesin Lutfi Haziri për kryetar të Gjilanit në raundin e dytë.
Lëvizja Qytetare “Vatra” është rreshtuar përkrah Hazirit në balotazhin e 14 nëntorit. Hazirin në balotazh do ta mbështes edhe Aleanca Kosova e Re dega në Gjilan.
Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan s’ka njoftuar akoma se cilin kandidat do ta mbështesin në balotazh. Por, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka dalë publikisht në mbështetje të Alban Hysenit të Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje që PDK-ja në këtë qytet të refuzojë çdo bashkëpunim me LDK-në.
Në balotazh me PDK-në, LVV-ja do të jetë edhe në Shtime. Qemajl Aliu i VV-së, do të përballet me kryetarin e deritanishëm të Shtimes, Naim Ismajli. As në këtë komunë s’është publikuar e as nënshkruar ndonjë marrëveshje bashkëpunimi mes partive për balotazh.
Komuna tjetër ku votohet sërish më 14 nëntor është Podujeva, diferenca mes Ekrem Hysenit dhe Shpejtim Bulliqit pas raundit të parë është vetëm 18 vota.
As në Llap s’është bërë publik ndonjë koalicion nga dy kandidatët që do të përballen në raundin e dytë.
Komunat ku do të ketë balotazh janë: Drenasi, Gjilani, Prishtina, Gjakova, Kaqaniku, Dragashi, Fushë-Kosova, Istogu, Obiliqi, Klina, Kamenica, Rahoveci, Podujeva, Prizreni, Vitia, Juniku, Malisheva, Vushtrria, Shtime, Kllokoti dhe Mamusha.