Komuna e Prizrenit nis punimet për Regjenerimin e Urave të Lumbardhit pa pëlqimin e QRTK-së
Punimet në projektin e Komunës së Prizrenit për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” në Qendrën Historike të Prizrenit kanë filluar pa pëlqimin e organeve të trashëgimisë kulturore. Për këtë arsye, sipas informatave që ka pranuar EC Ma Ndryshe, këto punime janë ndaluar nga Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore të MKRS-së.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale në faqen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, punimet në këtë projekt janë vizituar më 6 nëntor, në prag të balotazhit, në të cilën ngjarje ka qenë i ftuar edhe ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku.
Por këtë javë, zyrtarët e MKRS-së, kanë konfirmuar për EC-in, se për këtë projekt nuk është lëshuar pëlqimi nga organet e trashëgimisë kulturore që janë nën vartësi të kësaj ministrie.
Komuna e Prizrenit përmes DUPH-së me 1 qershor 2021 ka parashtruar kërkesën për dhënien e pëlqimit për projektin “Regjenerimi Urban për brigjet e lumit Lumbardh”. Ndërsa më 28 qershor 2021, QRTK-ja në Prizren ia ka përcjellë DUPH-së rekomandimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave dhe projekteve konservuese, restauruese të trashëgimisë kulturore – QHP, i cili Komision ka kthyer lëndën për korrigjim dhe plotësim.
Ndërsa më datë 3 gusht 2021, DUPH-ja merr aktvendim me të cilin i lejohet DUPH-së zhvillimi i punimeve për projektin “Regjenerimi Urban për brigjet e lumit Lumbardh”.
Me datë 12 gusht 2021, QRTK në Prizren ka parashtruar ankesë në MMPHI te Komisioni i shkallës së dytë kundër vendimi të DUPH-së të datës 3 gusht 2021, me pretendimin se në këtë lëndë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës administrative dhe zbatim të gabuar të drejtës materiale.
Sipas një përgjigjeje zyrtare të MKRS-së, kjo ankesë e QRTK-së ende nuk është trajtuar. “Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi (respektivisht neni 18, i Ligjit për Qendrën Historike), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka përcjellë ankesën në fjalë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Me qëllim të trajtimit të ankesës, nga MKRS është deleguar një zyrtar ligjor. Kjo informatë është dërguar në MMPHI, dhe kërkohet që në bashkëpunim me zyrtarët nga KKTK dhe MMHPI, të trajtohet më tutje ankesa e parashtruar. Pas trajtimit të kësaj ankese nga institucionet përkatëse, dhe në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, do të kërkohet ndërmarrja e hapave në përputhje me vendimin e dalur nga ankesa e shqyrtuar. Ne do të angazhohemi që kjo çështje të trajtohet me prioritet, dhe të sigurohet zbatimi i ligjeve në fuqi”.
EC Ma Ndryshe përkujton se sipas legjislacionit në fuqi për cdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së, dhe se ky nuk është rasti i vetëm që organet komunale gjatë këtij mandati kanë iniciuar punime në këtë zonë të mbrojtur pa pëlqimin e këtij organi të trashëgimisë kulturore. Pos kësaj fillimi i punimeve në këtë projekt, në kohë fushate, pa pëlqimin e duhur të organit të trashëgimisë kulturore përbën edhe veprim jo-etik të zyrtarëve institucionalë.
Lidhur me këtë projekt, EC Ma Ndryshe ka reaguar edhe më parë, me thirrjen që projektet e tilla në qendrën historike të Prizrenit të realizohen sipas legjislacionit (linku: https://www.facebook.com/207817452665864/posts/4520244568089776/) dhe se projekti konkret ka qenë jo-transparent, pa konkurs publik dhe pa pjesëmarrje qytetare (linku: https://www.facebook.com/ecmandryshe/posts/4086356651478572/.
Prandaj, EC Ma Ndryshe përmes këtij reagimi i bën thirrje të gjitha institucioneve relevante që në raport me këtë projekt të ndërmarrin masa për respektimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit, dhe që në të ardhmen projektet e tilla të realizohen me transparencë të plotë, me konkurs publik dhe me pjesëmarrje të qytetarëve