Komuna e Prizrenit pa përfaqësues, dështon seanca ndaj ish-inspektorit komunal i akuzuar për korrupsion
Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Komunës së Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, N.M, i cili po akuzohet për korrupsion.
Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha konstatoi se më 2 nëntor 2021, Komuna e Prizrenit përmes zyrës së Kryetarit Mytaher Haskuka, ka përcjell një parashtresë me të cilën është informuar gjykata se për momentin është pa përfaqësues ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë, Komuna e Prizrenit ka lutur Gjykatën Themelore në Prizren se duke pasur parasysh këtë fakt dhe interesin e përgjithshëm t’i shtyjë të gjitha seancat e parapara të shtyhen për së paku 15 ditë, pasi që akoma nuk është zgjedhur përfaqësuesi ligjor dhe që më këtë të mos dëmtohen interesat e Komunës.
Ndryshe, e pranishme në seancë ishte prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari N.M si dhe mbrojtësi i tij avokat Gent Gjini, të cilët u pajtuan që seanca e sotme të shtyhet pasi mbajtja e gjykimit pa prezencën e përfaqësuesit së palës së dëmtuar mund të jetë shkak për shkelje procedurale.
Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, njoftoi që seanca e sotme shtyhet dhe është caktuar më 25 dhe 26.01.2022.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, N.M po akuzohet se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.
Sipas aktit akuzues, N.M ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmerr veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.
I pandehuri , sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjell përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.
Ndryshe, N.M është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.