Komuna e Prizrenit përkohësisht pa përfaqësues ligjor, shtyhen seancat gjyqësore
Komuna e Prizrenit prej javës së shkuar ka mbetur pa përfaqësues ligjor, si rrjedhojë e skadimit të kontratës me operatorin e angazhuar për këtë qëllim. Në këtë situatë, drejtuesit e ekzekutivit lokal kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren që t’i shtyjë të gjitha seancat gjyqësore ku ajo është palë për së paku për 15 ditë derisa të zgjidhet përfaqësuesi ligjor i Komunës së Prizrenit.
Ndërsa zyrtarët e kësaj gjykate kanë pohuar se mbajtja e seancave edhe ligjërisht pamundësohet pa praninë e përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, prandaj dhe seancat e tilla janë shtyrë për më shumë se 15 ditë nga gjyqtarët e caktuar.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka më datën 15 tetor 2021 në formë të shkruar ka dërguar kërkesën në adresë të ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Artan Sejrani për shtyrjen e seancave gjyqësore.
“Komuna e Prizrenit ka qenë e përfaqësuar nga Zyra e Avokatisë ‘Blerim Mazreku’ shpk. Zyra e Avokatisë sipas kontratës ka pasur autorizim dhe ka qenë e obliguar që të japë shërbime për Komunën e Prizrenit deri më datë 14.10.2021. Në ndërkohë Komuna ka filluar procedurën për zgjedhjen e përfaqësuesit ligjor, por për shkak se procedura ende nuk ka përfunduar, për momentin Komuna nuk ka përfaqësues për mbrojtjen e interesave të saj. Lusim Gjykatën që të ketë parasysh këtë fakt dhe interesin e përgjithshëm dhe që të shtyjë të gjitha seancat që janë caktuar për javën e ardhshme dhe të shtyhen së paku për 15 ditë, derisa të zgjidhet përfaqësuesi ligjor, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e Komunës”, thuhet në shkresën e Haskukës.
Në anën tjetër zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj ka konfirmuar se me datë 15 tetor 2021, U.D. së kryetarit të Gjykatës Themelore, Artan Sejrani ka pranuar një kërkesë përmes e-mailit nga kryetari i Komunës së Prizrenit, përmes së cilës është kërkuar që të shtyhen seancat gjyqësore ku Komuna e Prizrenit është palë së paku për 15 ditë. Sipas tij gjatë muajit tetor kanë dështuar të mbahen disa seanca gjyqësore ku Komuna e Prizrenit është palë.
“Kjo kërkesë e kryetarit të Komunës është dërguar tek të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prizren. Si pasojë e kësaj disa seanca gjyqësore që nga fillimi i muajit tetor ku Komuna e Prizrenit është palë kanë dështuar të mbahen, kjo pasi që edhe Kodi i Procedurës Penale, edhe Ligji i Procedurës Kontestimore e pamundëson mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e palëve në procedurë. Pra, në të gjitha rastet dhe në të gjithë departamentet, qoftë ato të divizionit civil, ku Komuna është palë paditëse apo palë e paditur, pamundësohet mbajtja e seancës gjyqësore pa prezencën e përfaqësuesit të Komunës, por edhe në rastet penale ku Komuna është palë e dëmtuar, pamundësohet mbajtja a seancës gjyqësore pa prezencën dhe deklarimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar”, ka bërë të ditur Lekaj.
Ai ka shtuar se gjyqtarët përkatës këto seanca i kanë shtyrë për më shumë se 15 ditë.
“Gjykata në rastet ku seancat gjyqësore kanë dështuar të mbahen si pasojë e mos prezencës së përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, gjyqtarët i kanë caktuar seancat e ardhshme gjyqësore në një periudhë më të gjatë se 15 ditë”, është shprehur Lekaj.
Komuna e Prizrenit edhe në të shkuarën ka pasur kërkesë të ngjashme për shtyrjen e seancave gjyqësore ku është palë deri në caktimin e përfaqësuesit ligjor, gjë që ishte përfillur nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shkak të dispozitave të legjislacionit në fuqi.