Komuna e Prizrenit shpenzon gati 24 mijë Euro për një “vizitë studimore” në Dubrovnik
Rreth 24 mijë euro pritet të kushtojë një vizitë studimore 45 asambleistëve të Komunës së Prizrenit në Kroaci.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-Prokurim, asambleistët pritet të qëndrojnë atje për katër netë.
Për këtë vizitë, fillimisht ishin planifikuar të shpenzoheshin 30 mijë euro, por në fund kontrata është nënshkruar për 23 mijë e 850 euro.
Në këtë çmim përfshihen: transporti i delegatëve nga Prizreni për në Dubrovnik dhe anasjelltas, vendosja e pjesëmarrësve në hotel në Dubrovnik, hotel i cili duhet të jetë me 4 apo 5 yje, transporti dy drejtimësh me autobus, shpenzimet për viza (pa shkuar në ambasadë në mënyrë individuale) për 45 persona, sigurimi shëndetësorë kolektiv apo individual për pjesëmarrësit.
Asambleistët do të qëndrojnë katër netë në hotel, në dhoma për dy persona, me mëngjes dhe darkë, kurse dreka jashtë hotelit sipas marrëveshjes së fituesit të tenderit dhe pjesëmarrësve. Në çmim përfshihet edhe transporti për në Komunën e Dubrovnikut, vizitën e institucioneve shtetërore dhe të monumenteve kulturo-historike të qytetit të Dubrovnikut dhe Splitit.
“Pagesa e Operatorit Ekonomik do të bëhet pas kthimit nga vizita”, thuhet në dosje.
Tenderin e ka fituar GRANIT VESELAJ B.I., i cili ka në pronësi kompaninë “Harea Travel”.
Kontrata është nënshkruar më 3 nëntor./Reporteri.net