Kosova e varfër, por për më shumë se dy javë kosovarët dorëzuan 90 milionë euro në 500-she
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re janë tërhequr nga qarkullimi mbi 180 mijë monedha nga 500 euro.
Siç ka njoftuar BQK, nga 1 shkurti e deri më sot, sasia e monedhave 500 euroshe që janë hequr nga qarkullimi kap vlerën e 90 milionë eurove.
Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme ka përcaktuar që të gjitha institucionet financiare bankare dhe jobankare janë të obliguara që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre
Njoftimi i plotë:
BQK: Kalon mbi 180 mijë copë numri i kartëmonedhave prej 500-euro të tërhequra nga qarkullimi dhe depozituara në BQK
📌Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se si efekt i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, numri i kartëmonedhave prej 500 euro të deponuara nga qytetarët në bankat komerciale dhe me pas në BQK, si para të tërhequra nga qarkullimi, ka kaluar mbi 180,500 njësi, duke tejkaluar vlerën e 90 milionë e 250 mijë eurove.
📌Ky është ndër efektet e drejtpërdrejta të Rregullores që nga miratimi i saj, duke kontribuar në arritjen e qëllimit për një sistem financiar me integritet dhe që ndihmon në strategjinë kombëtare kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura.
📌Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme përveç tjerash përcaktoi që të gjitha institucionet financiare bankare dhe jobankare janë të obliguara që të ndalojnë riqarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre.
📌Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe mbikëqyrëse në zbatim të mandatit të saj kushtetues dhe në pajtim me objektivat strategjike të saj, me transparencë dhe përkushtim ndaj publikut.