Kosova plot me lodra “të dyshimta”, rrezik për shëndetin e fëmijëve
Në shumë dyqane në Kosovë mund të gjenden lodra që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, por edhe të personave tjerë që bien në kontakt me to.
Dhjetëra produkte të plastikës, pambukut dhe xhelatinës, që nuk i plotësojnë kriteret për t’u plasuar në treg, janë identifikuar nga Radio Evropa e Lirë në disa dyqane në Prishtinë, që shesin artikuj me çmime të lira: një euro një lodër.
Lodrat e tilla rrisin rrezikun që fëmijët të përballen me sëmundje të ndryshme, përfshirë edhe dëmtim të shëndetit riprodhues, thonë ekspertë të fushës.
Autoritetet, përfshirë Inspektoratin e Tregut, thonë se bëjnë kontrolle të vazhdueshme.
Sipas direktivave të Bashkimit Evropian, janë tri kritere bazë që duhet të respektohen për t’i importuar dhe vendosur lodrat në treg.
Ato duhet të përmbajnë në paketim ose të ngjitur diku në trup shenjën “CE”, e cila tregon se prodhuesi ose importuesi konfirmon përshtatshmërinë e mallrave me standardet evropiane të sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes së mjedisit, pastaj një letër me përshkrimin dhe përdorimin e produktit, si dhe grup-moshën për të cilën janë të ndaluara.
Kosova plot me lodra “të dyshimta”
Dhjetëra lodra që ka identifikuar REL-i në tregun e Kosovës, nuk i plotësojnë këto kritere.
Me 1 euro, REL-i ka blerë në një dyqan në Prishtinë një set shkollor fals të prodhuesit të njohur të lodrave “L.O.L. Surprise”. Produkti origjinal në ueb-faqe të ndryshme shitet për një çmim që sillet nga 15 deri në 20 euro.
Produkti fals i blerë në Prishtinë nuk e ka mbishkrimin “CE”, nuk ka informacione të përdorimit e as grup-moshën për të cilën nuk rekomandohet përdorimi.
Produkti mban mbishkrimin “Made in China”, ose i bërë në Kinë, ndërsa barkodi, që përmban informacione mbi të, lidhet me një qendër tregtare në shtetin e Libisë.
Dyqani në Prishtinë kishte dhjetëra produkte që, pasi u testuan nga ekipi i REL-it, doli se përmbajnë barkode të rreme.