KQZ aprovon 63 mijë pako me vota nga diaspora, refuzon rreth 5 mijë tjera

Kanë kaluar 15 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se është duke punuar sipas planifikimeve të miratuara për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se synojnë që rezultatet të shpallen edhe më herët se afati i paraparë.

Sipas këtij plani, rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët pritet të shpallen pasi të shqyrtohen të gjitha ankesat eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatën Supreme.

Ai ka dhënë detaje edhe për votat nga diaspora.

“Sipas të dhënave preliminare, procesi i vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës ka përfshirë rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë, ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900”, tha Elezi.

Ai shpjegoi se arsyet e refuzimit të këtyre fletëvotimeve lidhen kryesisht me mosplotësimin e kritereve, si dërgimi nga persona të cilët janë anuluar gjatë procesit të regjistrimit si votues jashtë Kosovës, mungesa e dëftesës së regjistrimit, dërgimi i njëjtit votim më shumë se një herë apo fletëvotimet e dërguara nga persona të ndryshëm në të njëjtën pako.

Aktualisht, KQZ po bën skanimin e listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta, me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *