Lajm i mirë: OBSh-ja raporton javën e gjashtë radhazi me rënie të rasteve me Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të martën se numri i rasteve javore me Covid-19 në nivel global kanë shënuar rënie 11 për qind javën e kaluar.

OBSh-ja raportoi 2.4 milionë raste të reja dhe 66.000 të vdekur gjatë asaj jave. Numri i viktimave ishte për 20 për qind më i ulët se në javën paraprake.

Sipas shifrave zyrtare, numri i përgjithshëm i të prekurve që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 110.7 milionë njerëz, ndërsa shifra e viktimave në 2.4 milionë.

Shtetet e Bashkuara tash për tash janë duke e raportuar numrin më të madh të rasteve, ndërsa pas tyre radhiten Brazili, Franca, Rusia dhe India.

Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se ndonëse shumë shtete po raportojnë zvogëlim të numrit të përgjithshëm të rasteve të reja, është duke u rritur shifra e rasteve me variantet e reja të virusit.

Sipas OBSh-së, varianti që së pari u zbulua në Britaninë e Madhe, i njohur si B.1.1.7, tashmë është regjistruar në 101 shtete, ndërsa varianti i zbuluar së pari në Afrikën Jugore, i njohur si B.1.351, është shënuar në 51 shtete.

Një variant tjetër më pak i përhapur, i njohur si B.1.1.28.1, i identifikuar së pari në Brazil dhe Japoni, është gjetur në 29 shtete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *