Latifi: Çifteve të reja në komunën e Rahovecit do t’u dhurojmë banesa
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Laitifi u ka premtuar dje çifteve të reja në këtë komunë banesa për banim.
Ai në mbledhjen e Kuvendit Komunal ka thënë po ashtu se nga 1 janari i këtij viti, çdo lindje në Repartin e Maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti” do të mbështetet me 500 euro nga Komuna e Rahovecit.
“Ne po synojmë që lindjet normale mos të na ikin diku tjetër. Unë po besoj që 500 euro nuk është një lloj standard i ri, kemi filluar me 200 euro dhe këtë vit është 500. Po ashtu çdo çift i ri që martohet ka me pasur nga një banesë. Veç ende s’kanë filluar ndërtimet, se çifteve të reja që do të martohen në komunë të Rahovecit unë do të ju dhuroj banesa”, theksoi Latifi.
Në këtë seancë, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Rahovecit, Arbnor Mullabazi, bëri të ditur se në vitin 2023 kanë qenë 73 aplikime për leje ndërtimore, 120 për kushte ndërtimore, 32 leje mjedisore dhe 9 leje të pranimit.
“Në vitin 2020 kemi pasur 13 aplikime për leje mjedisore, 31 për leje ndërtimore dhe 68 aplikime për kushte ndërtimore. Në vitin 2023 leje ndërtimore kemi 73 aplikime, kushte ndërtimore janë 120, leje mjedisore 32 dhe leje të pranimit kemi 9 aplikime. Drejtoria e urbanizmit dhe ekzekutivit kemi arritur me përgatit planin komunal 2023-2031 duke përfshirë tërë territorin e komunës së Rahovecit,” theksoi ai.
Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër Afrim Oruqi tha se ka folur për vendimin për këmbimin e pronës komunale me atë të institucionit qendror.
“Sipas legjislacionit në fuqi kemi vendimin për këmbimin e pronës komunale me pronë të institucionit qendror, bëhet fjalë për zonën kadastrale në Rahovec, të dy pronat janë të institucioneve qendrore, bëhet fjalë për 132 metra katrorë i mirët agjencionit të ujërave dhe i jepet komunës së Rahovecit,” theksoi ai.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal janë miratuar po ashtu një sërë vendimesh tjera të parapara me rendin e ditës.